E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vetëvendosja” përkujton të vrarët e 10 shkurtit

Aktivistët e lëvizjes “Vetëvendosje”, nesër do të përkujtojnë protestën e përgjakshme të 10 shkurtit të vitit 2007, kur humbën jetën dy protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

Tre vjet pas, në nderim të viktimave të rëna, Lëvizja “Vetëvendosje” ka paralajmëruar se do të bëjnë homazhe tek varret e Mon Balajt në Podujevë dhe Arben Xheladinit në Prishtinë. Po ashtu, në këtë ditë, do të vendosen lule te pllaka përkujtimore në sheshin “Nëna Terezë”, kurse në kinemanë ABC dhe do të shfaqet filmi “10 Shkurti”.

Ndërkaq, në orët e vonshme është paralajmëruar mbajtja e një akademie përkujtimore në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Të gjitha këto u bënë të ditura në një konferencë për media, të mbajtur nga udhëheqësit e kësaj organizate, e cila edhe kishte organizuar demonstratën e para tri vjetëve.

Përpos programit të përgatitur për trevjetorin e protestës së 10 shkurtit, u bë e ditur se tashmë seancat e rifilluara nga EULEX-it kundër Albin Kurtit do të mbahen nga data 15 shkurt deri më 4 mars. Gjithsej, pritet të mbahen nëntë seanca.

Aktivisti i kësaj lëvizjeje, Glauk Konujfca, paralajmëroi se as në këto seanca nuk do të jetë i pranishëm Albin Kurti.

“EULEX-it nuk i interesojnë strukturat paralele të Serbisë, por Lëvizja ‘Vetëvendosje’. Nuk i interesojnë politikanët e korruptuar me të cilët bashkëpunon, por Albin Kurti. EULEX-i nuk ka hapur proces të ri gjyqësor për Albin Kurtin, as nuk e ka riformuluar procesin ekzistues të UNMIK-ut; EULEX-i e ka rifilluar atë”, tha Konjufca.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›