Martesat në Shqipëri nën rrënim gjatë 2009, shkak kriza ekonomike
Në vitet e fundit konstatohet tendencë në rënie e numrit të martesave në Shqipëri. Viti 2009 evidenton ulje drastike të numrit të tyre, krahasuar me vitet e mëparshme. Nëse në tremujorin e fundit të vitit 2008 numëroheshin gjithsej 10938 martesa, në tremujorin e dytë të vitit 2009 regjistrohen 7886. Diferencë kjo prej 3052 martesash. Ndërkohë që më problematik paraqitet Qarku i Shkodrës, i cili numëron 30 martesa dhe vetëm 46 lindje në tremujorin e dytë të vitit 2009.
Statistikat bëhen publike nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në Buletinin Statistikor Tremujor. Shifrat janë sa "absurde", aq edhe të konsiderueshme. Ky ka qenë reagimi i menjëhershëm i psikologut Edmond Dragoti, i cili ka theksuar se një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në një rënie të tillë është pikërisht faktori ekonomik. Sipas tij, kjo është e padiskutueshme, për aq kohë sa Shqipëria është e përfshirë në krizën ekonomike globale. "Që një çift të vendosë të martohet, duhet padyshim të ketë kushte ekonomike për tu bërë ballë detyrimeve dhe përgjegjësive që kërkon një familje. Përgjithësisht të rinjtë e sotëm nuk ofrojnë perspektivën dhe mundësinë e mjaftueshme ekonomike për të mbajtur një familje. Kjo shpjegon më së miri tendencën në rënie të numrit të martesave në vendin tonë", pohojnë psikologët. Pa përfshirë periudhën mujore që konsiderohet si më pjellore nga ana biologjike, në raport me të tjerat vërehet se ka një sërë faktorësh të tjerë që kanë çuar në uljen e numrit të martesave, rrjedhimisht dhe në rënien e numrit të lindjeve. Është e dukshme rënia e numrit të martesave nga viti në vit. Raporti me tendencë në ulje nga viti 2008 në vitin 2009 është pasojë e disa dukurive demografike, që shpesh hasen edhe në shumë vende të tjera që e kanë kaluar periudhën e tranzicionit politik, ekonomik she social. Madje edhe krizat sociale dhe ekonomike kanë efektet e tyre të drejtpërdrejta në këto dy dukuri që paraqiten shqetësuese në vendin tonë.