Ngushëllohet familja e policit Enver Zymberi
(E plotësuar) Drejtuesit e institucioneve të Kosovës dhe partitë politike i kanë dërguar telegrame ngushëllimi familjes Zymberi nga fshati Dubovc, djali i së cilës, pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, humbi jetën gjatë aksionit të njësisë së cilës i përkiste për vënien e ligjshmërisë në pikat kufitare në pjesën veriore të vendit.
“Me dhimbje të madhe morëm lajmin që polici i shtetit të Kosovës, Enver Zymberi, edhe përkundër përkushtimit të madh të ekipeve mjekësore, ndërroi jetë sonte, pas plagëve të marra nga sulmi i turmave të dhunshme që tentuan të bllokonin vënien e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pikat kufitare në veri të Kosovës, por që nuk ia arritën”, thuhet në telegramin e kryeministrit Hashim Thaçi.
Thaçi ka thënë se vdekja e Enver Zymberit është një humbje e madhe jo vetëm për Policinë e Kosovës, por për mbarë popullin dhe institucionet e vendit.
“Falë Enverit dhe policëve të kalibrit të tij të lartë, institucionet e Kosovës arritën të vënë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në pikat kufitare në veri të vendit. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, përfundon telegrami i ngushëllimit.
Edhe presidentja Atifete Jahjaga, i është drejtuar me një telegram ngushëllimi familjes Zymberi. “Enveri dhe kolegët e tij, duke qenë në krye të detyrës për ruajtjen e rendit dhe ligjit dhe për vendosjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, dhanë një shembull të sakrificës së jashtëzakonshme, përkushtimit të pashoq dhe profesionalizmit të lartë. Ne, kolegët e tij, si dhe të gjithë qytetarët e vendit tonë, do ta përkujtojnë përherë Enver Zymberin, jetën dhe veprën e tij në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës. Kujtimi për të do të jetë i përjetshëm”, thuhet në telegramin e presidentes.
Sot, telegram ngushëllimi ka dërguar edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi. “Me dhembje të thellë mora lajmin tronditës që polici i Republikës së Kosovës, Enver Zymberi, në krye të detyrës për të vënë ligjshmërinë në pikat kufitare në veri të Kosovës, ka ndërruar jetë pas plagëve të marra nga grupet e dhunshme. Përkushtimi i Enverit dhe i kolegëve të tij në mbrojtjen e kufijve në veri të vendit, është një shembull i sakrificës dhe profesionalizmit të lartë në vendosjen e kushtetutshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës".
"Vdekja e Enver Zymberit është humbje e madhe për Ju familje e nderuar, dhe për mbarë popullin dhe institucionet e Kosovës. Duke ndarë dhembjen bashkë me ju, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në ngushëllimin e kryeparlamentarit Krasniqi.
Edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i dërgoi një telegram ngushëllimi familjes Zymberi.
"Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për shkuarjen në amshim të më dashurit Tuaj, pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi. Enver Zymberi ra në krye të detyrës, në betejën e shenjtë të ruajtjes së rendit kushtetues dhe të vënies së ligjit në çdo cep të Atdheut. Prandaj, jemi të bindur se shëmbëlltyra e tij njerëzore dhe përkushtimi i plotë profesional për kryerjen e detyrës do të kujtohen me nderim përgjithmonë nga qytetarët e Republikës së Kosovës, për lirinë dhe stabilitetin e të cilëve Enveri me vetëdije të lartë nacionale e shtetërore flijoi jetën e tij", thuhet në telegram.
Lëvizja Vetëvendosje, po ashtu, ka marrë me hidhërim lajmin për vdekjen e pjesëtarit të Njësitit Special të Policisë së Kosovës.
"Por njëkohësisht vepra e tij na mbushi me shpresë. Enveri sakrifikoi më të shtrenjtën që mund të jepet për sovranitetin e atdheut. Ai ra në përpjekje të përmbushjes së lirisë sonë kolektive e cila mbeti në gjysmë në vitin 1999. Gatishmëria e tij e patrembur për t’ia sjellë Kosovës atë që i takon për krijimin e një atdheu të lirë dhe të sigurt për brezat që vijnë, e bën atë shembull që na inkurajon të gjithëve. Me aktin e tij heroik ai i bashkëngjitet aradhës së gjatë të atyre që u flijuan për lirinë e plotë të Kosovës", thekson VV.
Partia Aleanca Kosova e Re, vrasjen në krye të detyrës, të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, e vlerëson si akt terrorist të drejtuar ndaj forcave të rendit e të sigurisë në Kosovë.
AKR mbështet veprimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendosjen e rendit dhe të ligjit në gjithë territorin e vendit, në pajtim me ligjin dhe Kushtetutën, dhe inkurajon forcat e rendit që të jenë të pakompromis në luftimin e krimit.
“AAK bashkëndjen dhe ndan dhimbjen me familjen e Enverit, kolegët e tij në Policinë e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e Kosovës. AAK e çmon guximin dhe sakrificën e policit Enver Zymberi dhe të të gjithë policëve të Kosovës, të cilët e kryen me nder, përkushtim e profesionalizëm detyrën e tyre”, thuhet në kumtesën e AAK-së.