E Shtunë, 31 Tetor 2026

Martin Schultz do të vizitojë Shqipërinë, Rama: Marrim statusin brenda dhjetorit

BRUKSEL- Kreu i Parlamentit Evropian Martin Schultz pritet që së shpejti të vizitojë Shqipërinë. Lajmi u konfirmua nga vetë presidenti i PE-së, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama.

“Folëm për zhvillimet ekonomike dhe politike në rajon. Dëgjuam Edi Ramën për situatën në rajon për zhvillimet politike në Kosovë dhe ndamë pikëpamjet për ndërtimin e paqes në rajon. U kënaqëm për ato që dëgjuam dhe na u dukën inkurajuese. Si president i PE-së, ramë dakord që të kryejmë një vizitë në Shqipëri në kohën më të duhur. E falënderoj zotin Rama”, deklaroi Schultz.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, presidenti i PE-së, tha se nuk ka afate të parashikaura për marrjen e statusit kandidat, teksa vlerësoi se  Aleanca për Shqipërinë Evropiane është në rrugë të mbarë.

“Fyle po bën të pamundurën për të ndërmarrë hapat e duhura. Është e pamundur të caktojmë dhe parashikojmë afatet. Qeveria e re ka zgjedhur një titull, “Qeveria për Aleancën Evropiane”, mendoj se titulli është i zgjedhur vendi ka perspektivë të veçantë. Duhet të shikojmë me kujdes zhvillimet në Kosovë dhe në këtë kornizë shpresoj se nuk do zgjasë shumë”, tha Schultz. 

“Qeveria e re ka mandat për ndryshime”, theksoi Rama në konferencën për shtyp duke siguruar presidentin e PE-së se do i japë opozitës demokratike ato të drejta që socialistëve iu mohuan.

“Erdhëm në ditën kur u hapën shkollat dhe nuk isha atje,  por erdha këtu si njeri që duhet të bëjë detyrat e Shqipërisë për të marrë vlerësimet dhe për tu bërë pjesë si anëtarë me të drejta të plota. Risigurova presidentin siç sigurova dhe Komisionin e Jashtëm të PE-së ne kemi mandat për ndryshime duke nisur që nga puna jonë për ti dhënë opozitës atë ç’ka na mohoi ne. Për të ecur më pas me reformat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Jam i lumtur që presidenti i i PE do të vijë të vizitojë Shqipërinë para se të mbarojë mandatin e tij dhe do i japim rezultatet e para të ASHE”, tha Rama.

Duke iu përgjigjur gazetarëve, kryeministri shprehu bindjen e Shqipëria brenda dhjetorit do të marrë statusin e vendit kandidat.

“Kam besim se filozofia jonë e qeverisjes është e drejta bazuar jo vetëm në atë cka bëjmë që evropiane të njohë progresin tonë, por që progresi ta bëjë Shqipërinë vend evropian. Integrimi evropian nuk është një udhëtim për në Bruksel, por udhëtim në veten tonë për të zbuluar energjinë pozitive dhe për të shndërruar Shqipërinë në vend me standarded evropiane dhe sapo ta bëjmë do të njihet nga Brukseli. Jam i bindur që do të marrim statusin e vendit kandidat brenda dhjetorit”, u përgjigj Rama.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›