E Diel, 1 Nëntor 2026

Problemet me higjienën, bashkiakët rrethojnë tregun te uzina ‘Dinamo’

TIRANE- Policia Bashkiake ka rrethuar në orët e vona të mbrëmjes së të hënës, tregun tek ish-Uzina Dinamo. Aksioni u ndërmor për zbatimin e vendimit të Inspektoratit të Mjedisit për mungesë të higjienës. Vendimi ka irrituar pronarët e 300 subjekteve tregtarë që ushtrojnë aktivitetin në këtë, të cilë nuk pranojnë të largohen duke kundërshtuar vendimin e Inspektoriatit. Nëpërmjet avokatit Dilaver Rexhepaj, ata këmbëngulën se çështja e higjienës nuk i takon Bashkisë, e cila po penalizon në grup tregtarët të cilat paguajnë qiranë në shtet. 

”Është vendim jashtë çdo llogjike. Këtu janë 300 subjekte që punojmë me licencë. Këta kanë ardhur dhe e kanë bllokuar pasi pretendojnë se po ekzekutojnë një vendim të institutit të higjienës. Policia Bashkiake vjen pa asnjë urdhër. Policia Bashkiake nuk mund të dalë pas asnjë urdhër dhe të ndalojë aktivitetin. Kush do të paguajë për mallin? Nuk ka lidhje fare me subjektet. Këtu janë 300 tregtare, që janë secili pronar në pronën e vet. Nëse një tregtar shkel higjienën ka të bëjë vetëm me mua jo me komshiun. Të tërë janë qiramarrës”, u shpreh avokati Rexhepaj. 

Në fakt, fill pas sezonit të verës specialistët e Higjienës kanë intensifikuar kontrollet në subjektet që tregtojnë mallra ushqimore për konsumatorët. Në veçanti, sipas specialistëve po kontrollohen ato subjekte që tregtojnë ushqime, por edhe ato që shesin produkte bulmeti. Këto kontrolle janë shtrirë pothuajse në të gjitha tregjet e Tiranës, të cilat sipas specialistëve ende nuk janë në parametrat e duhur higjieno-sanitare për tregtimin e mallrave ushqimore. Specialistët e Inspektoratit të Mjedisit thotë se në këtë periudhë intensifikohet gjithë puna për ndjekjen e këtyre problemeve. Ata pranojnë se ka një përmirësim të tregjeve në përgjithësi, por thonë se tregu te uzina “Dinamo” nuk i përmbush kushtet higjieno-sanitare dhe rrezikon shëndetin e banorëve. 
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›