E Diel, 1 Nëntor 2026

Martins: “E rëndësishme për Evropën të ketë një kryeministër si Berisha”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
E djathta evropiane

Partitë Popullore Evropiane, e djathta evropiane si dhe grupimi politik në Parlamentin Evropian i jep mbështetje të plotë kryeministrit Sali Berisha dhe Partisë Demokratike në zgjedhjet e 28 Qershorit. Kreu i selisë blu dhe ai i qeverisë, Berisha, priti në një takim Presidentin e Partive Popullore Evropiane, zotin Uillfrid Martins, i cili zhvillon një vizitë në Shqipëri për të mbështetur PD-në në zgjedhjet e 28 Qershorit. Kryeministri e njohu presidentin Martins me programin e demokratëve për 4 vitet e ardhshme, i cili synon t u ofrojë qytetarëve shqiptarë, standardet, kriteret dhe praktikat e qytetarëve të vendeve anëtare të BE-së, duke e përgatitur kështu Shqipërinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pas takimit, të dy personalitetet dhanë një konferencë për shtyp ku Presidenti i PPE-ve deklaroi: “Vij për herë të parë këtu si President i Partive Popullore Evropiane. Konstatova në fillim të vizitës sime se çfarë ndryshimi rrënjësor dhe gjigant ka bërë për vendin dhe popullin e tij. Kam ardhur këtu për ta mbështetur atë, në këtë fushatë zgjedhore, sepse ajo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe të gjithë rajonit, për të pasur një kryeministër dinamik dhe një qeveri dinamike dhe për të përgatitur të ardhmen evropiane të Shqipërisë, si një pol të stabilitetit në të gjithë rajonin. Edhe një herë unë jam i bindur se Shqipëria duhet të bëhet anëtare e BE-së. Dhe një nga rezultatet kryesore të kryeministrit Berisha është se ai hapi dhe realizoi perspektivën evropiane dhe antlantiste të Shqipërisë. Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s. Shqipëria dhe qeveria e saj mundësuan nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim-Associimit me BE. Ne do ta mbështesim kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij për të realizuar liberalizimin e vizave në BE. Ne konstatuam një progres shumë të madh për sa i përket fushës sociale dhe fushës ekonomike. Tashmë Shqipëria ka një buxhet të stabilizuar dhe ka krijuar një infrastrukturë të re për Shqipërinë. Për këtë arsye ne si parti popullore evropiane do ta mbështesim atë në këtë fushatë. Siç e dini, Partia Popullore Evropiane është partia politike më e madhe dhe grupi politik më i madh, në Parlamentin Evropian. Gjatë zgjedhjeve të fundit evropiane, më 7 qershor, ne fituam për të tretën herë. Në këtë periudhë të krizës financiare, pjesa më e madhe e votuesve evropianë na besuan ne, si një faktor stabiliteti dhe për këtë arsye ne i fituam këto zgjedhje. Ne do të vazhdojmë punën tonë në parlament, gjithashtu në Komisionin Evropian, dega ekzekutive e Bashkimit Evropian. Ne kemi presidentin e Komisionit dhe gjithashtu në Këshillin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive kemi 13 kryeministra”,- tha Presidenti i PPE, Martins.

Berisha

“Është jashtëzakonisht jetike shmangia e çdo lloj tensioni në zgjedhje”

Kreu i qeverisë dhe i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas takimit me Presidentin e PPE, Uillfrid Martins, u bëri thirrje qytetarëve gjatë një konference për shtyp të shkojnë dhe kontribuojnë në këto zgjedhje, por të mos votojnë kolektivisht. Berisha është shprehur se është jetike për Shqipërinë shmangia e çdo lloj tensioni në zgjedhje, duke thënë ndër të tjera: “Ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, me maturi dhe me qytetarinë e tyre të kontribuojnë në këto zgjedhje për procesin zgjedhor më të lirë, më të mirë në historinë e këtij vendi. Zgjedhjet e 28 Qershorit zhvillohen me infrastrukturën teknike më moderne që mund të ekzistojë kund. Është jashtëzakonisht jetike shmangia e çdo lloj tensioni. Të mos lejojmë që një virtyt, siç është solidariteti familjar, të na kthehet në një dëm serioz për zgjedhjet. Kusht vendimtar është që asnjë të mos tentojë të votojë kolektivisht. Unë kërkoj mirëkuptimin e çdo qytetari shqiptar, të shmangë me çdo kusht këtë standard, i cili dëmton shumë zgjedhjet. Kjo është një vërejtje e përsëritur, e drejtë që vëzhguesit, miqtë tanë kanë bërë për procesin zgjedhor në Shqipëri. Ftoj komisionerët e të gjitha forcave politike të mos pranojnë që në qendrat e votimit, ku ata drejtojnë procesin, qoftë edhe një qytetar i vetëm të mos votojë ndryshe, veçse individualisht. Vota individuale është kushti më themelor për t u konsideruar e lirë dhe e ndershme. Ftoj për pjesëmarrjen më masive, e cila duket se do të ndodhë. Në dy gjëra që parashikoj, njëra prej tyre është se do të kemi një pjesëmarrje vërtet masive dhe ky është një zhvillim shumë pozitiv. Natyrisht, nuk do të duket shumë tek përqindja, por do të duket tek numri i votuesve, krahasuar me zgjedhjet e tjera. T i japim vendit procesin zgjedhor më të bukur, më të mirë, më të lirë që vendi ka njohur ndonjëherë dhe të dëshmojmë se besimi i madh që është vendosur tek ne nga qytetarët shqiptarë, nga miqtë tanë në botë të justifikohet plotësisht”, tha Berisha. Kreu i PD-së dhe i qeverisë iu përgjigj dhe interesimit të medias se nga do ta ndiqte ai rezultatin e votimeve, duke thënë se “do ta pres në selinë e Partisë Demokratike, sepse ajo është normale, aty janë mbështetësit, janë të gjithë ata që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe unë do të jem me ta, të ndaj me ta festën e fitores”,- tha ai. Më tej Kryeministri nënvizoi: “E njoha zotin Uillfrid Martens me programin e Partisë Demokratike për katër vitet që vijnë, programi i Shqipërisë evropiane, me të cilin ne synojmë t u ofrojmë qytetarëve shqiptarë, standarde, kritere, praktikat e qytetarëve të vendeve anëtare të BE-së dhe përgatit Shqipërinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”,- tha Kryeministri.

Ky lajm është publikuar: 27/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›