E Shtunë, 31 Tetor 2026

Martohet më i shëndoshi i botës, pas dietës humbet 230 kile

 

Lajmi se njeriu më i shëndoshë në botë martohet i ka çuditur të gjithë. Njerëzit vrasin mendjen se cila mund të jetë gruaja që do të marrë përsipër të kalojë jetën me njeriun që peshon 570 kg. Por është harruar të përmendet që në fillim se pas një operacioni dhe një diete të fortë, për të cilën nuk jemi të sigurt se sa e ka respektuar gjigandi, ai ka kaluar nga 570 në 340 kile. Meksikani Manuel Uribe, fitues i rekordeve Guinnes në vitin 2007, tha se përpara dasmës ka humbur rreth gjysmën e peshës së tij. “Megjithatë do të jetë një martesë me pesha”, tha 42-vjeçari me shaka, duke shtuar se për të respektuar dietën e tij, banketi do të jetë shumë i lehtë. Uribe do të martohet me një grua të mbetur të ve më parë, me të cilën është fejuar prej dy vitesh. Data e dasmës është caktuar për në 26 tetor në Monterrey, në veri të Meksikës. Ceremonia do të ndiqet nga kamerat dhe do të sponsorizohet nga mediat meksikane e ndërkombëtare që i kanë ofruar çiftit një tortë për rreth 400 të ftuar. Siç është traditë në të tilla raste, nuk do të mungojë muzika. Uribe ka prenotuar një grup meksikan të quajtur “Pesado”. Njeriu i rekordit tha se ishte shumë i lumtur dhe ka falënderuar Zotin për “mrekullinë që i bëri një njeriu në prag të vetëvrasjes, që tashmë njohu dhe jeton me dashurinë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›