Bllokohen operacionet në spital, 3 ditë pa energji
FIER/ MAJLINDA RAMA
Spitali i Fierit pezullon çdo operacion e vizitë për shkak të mungesës së dritave. U bën tashmë tri ditë që asnjë prej pavijoneve të tij, madje as urgjenca nuk kanë energji elektrike. Një defekt në nënstacionin furnizues ka bllokuar të gjithë procesin mjekësor, ndërsa gjeneratorët nuk e përballojnë dot intensitetin. Në ditën e tretë të errësirës mjekët japin alarmin, pasi gjithë operacionet, ekografitë, madje dhe kontrollet e thjeshta janë ndërprerë. Pacientët e shtruar janë detyruar të presin, ndërsa të tjerët të kthehen pas. Të detyruar të kthehen në shtëpi pa marrë ndihmën e duhur mjekësore, pacientët e shumtë ankohen për këtë mangësi ndërkohë që shprehen se një neglizhencë e tillë mund të kushtojë shumë shtrenjtë. “Kemi tri ditë rresht që vijmë në spital pasi nusja e djalit ka thyer këmbën dhe nuk dimë çfarë të bëjmë. Në spital nuk ka drita dhe nuk bëhet asnjë grafi. Nuses i është ënjtur këmba dhe askush nuk merr përsipër t’i japë një ndihmë. U nisëm për të shkuar në Tiranë por rruga është e gjatë”, shprehet një banor i fshatit Pecaj të Mallakastrës. Por, megjithë ankesat e qytetarëve, as drejtoria e spitalit dhe as ndërmarrja elektrike nuk kanë marrë guximin të përcaktojnë ditën se kur do të rifillojë aktiviteti normal në spitalin e qytetit. Mungesën e energjisë e vuan edhe materniteti. Për vetë funksionin e këtij spitali, energjia elektrike është e domosdoshme në çdo orë të ditës, por shumë nëna kanë lindur në errësirë. “Bashkëshortja ime pati një lindje tepër të vështirë. Mjeku i saj personal i kishte këshilluar lindje me operacion, por përkoi në ditën kur në maternitet nuk kishte drita. Të detyruar nga dhimbjet dhe koha tepër e kufizuar e kam marrë gruan dhe e kam çuar në spitalin e Ballshit. Tani bashkë me fëmijën është në Fier, po mesa duket do ta çoj fare në shtëpi”, shprehet Gim Dano, babai fëmijës së sapolindur Frenki. Mungesa e energjisë elektrike ka përhapur panik edhe në mjediset e poliklinikës së qytetit. Paraditen e djeshme, madje deri në orët e vona të pasdites, njerëzit nuk kanë reshtur së kërkuar ndihmën e mjekëve, të cilët ndodheshin brenda dhomave të tyre, por nuk prisnin askënd. Vetë mjekët janë shprehur tepër të shqetësuar për këtë situatë, ndërkohë që u është komunikuar se ka ndodhur një defekt në nënstacionin që furnizon gjithë spitalet në këtë qytet, i cili ende nuk po rregullohet, megjithë nevojën për të përballuar urgjencat. Kjo mungesë energjie është ndjerë edhe në një pjesë të mirë të qytetit të Fierit, e cila furnizohet nga e njëjta linjë me spitalin. Kryesisht qendra dhe dy lagje të tij po përballen me këtë situatë, ndërkohë që qytetet e tjera nuk kanë probleme kaq të rënda me dritat.