E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes në rrugë 70-vjeçari, pësoi hemorragji cerebrale

 

TIRANE - Një i moshuar 70-vjeçar ka humbur jetën dje në Tiranë. Ngjarja ndodhi fare pak metra larg Spitalit Ushtarak ndërsa viktimës nuk i shkoi në ndihmë askush. Mësohet se 70-vjeçari ka qenë duke ecur në rrugë kur pësoi një hemorragji cerebrale, e cila e rrëzoi për tokë dhe brenda pak çasteve i mori jetën. Hasan Huka, siç është identifikuar viktima është rrethuar nga dhjetëra qytetarë pas vdekjes së tij në rrugë. Banorët e zonës kanë qëndruar pranë kufomës për rreth 30 minuta duke lajmëruar menjëherë policinë e cila vonoi të mbërrinte në vendin e ngjarjes. Ndërkohë askush nga kureshtarët nuk është kujdesur ta shoqërojë të moshuarin drejt Spitalit Ushtarak për të marrë ndihmën e parë, meqenëse ngjarja ndodhi në afërsi të këtij objekti. Forcat e policisë që kishin marrë lajmërim nga kalimtarët e rastit edhe ato, vonuan të mbërrijnë në vendin e ngjarjes për rreth 40 minuta. Më pas uniformat blu kanë shkuar pranë kufomës dhe pasi konstatuan vdekjen e tij kanë vendosur ta shoqërojnë në morgun e Tiranës, ku 70-vjeçarit pritet t’i bëhet një ekspertizë për shkakun e vdekjes. Pas vdekjes së të moshuarit policia ka filluar një procedim penal për këtë ngjarje dhe hetimet do të vazhdojnë derisa të zbardhen shkaqet dhe rrethanat e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›