Ballsh, 200 policë, tre muaj pa marrë rrogat
BALLSH - Rreth 200 policë të punësuar në kombinatin e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, prej tre muajsh nuk marrin pagën mujore. Edhe pse kanë kërkuar shpjegim nga krerët e uzinës situata ka mbetur ende e paqartë. Vetë policëve ende nuk u është bërë i ditur asnjë lloj detaji lidhur me shkaqet e vonesës së pagës për shpërblimin e punës së bërë gjatë tre muajve të fundit. Ndërkaq sipas vetë policëve mësohet se shkresa me borderotë përkatëse ka mbërritur në zyrën e ministrit të Financave, i cili nuk ka kthyer përgjigje. “Fakti që nuk kemi nënshkruar asnjë lloj kontrate me kombinatin duket se na heq të drejtën për të qenë të barabartë me të gjithë punonjësit e institucioneve të tjera. Kërkojmë një zgjidhje emergjente pasi në këto kushte jemi të detyruar të bastisim vendet e punës”, shprehen ata, ndërsa thonë se kjo po justifikon dhe vjedhjet që kryhen në kombinat. “Dalin dhe thonë që u arrestuan disa policë të uzinës duke vjedhur naftë. Nuk e quajmë të drejtë një veprim të tillë, por kur uzina nuk paguan edhe policët janë të detyruar të kompensojnë rrogën. Vjedhin një bidon naftë për të ushqyer fëmijët se kombinati nuk jep rrogat. Më mirë të na thonë ik nga puna sesa të na zvarrisin duke na shpërfytyruar dhe duke na bërë të ndotim duart në pronën e shtetit. Vjedhjet nuk justifikohen, por edhe pagat duhen dhënë. Kemi shkuar disa herë pranë zyrave të drejtorisë dhe askush nuk na ka pritur”, pohojnë punonjësit e policisë. Ndërsa burime pranë ndërmarrjes thonë se gjithçka po varet nga zvarritja e procedurave të privatizimit të ARMO-s që do të zgjidhte dhe problemet financiare. Ata premtojnë se brenda fillimit të tetorit të kryhen pagesat e policëve. m.r