Rrëfehen në TKOB, poezitë e kuvendit Benediktbeuern
“Carmina Burana”, premiera e baletit gjerman është ngjitur dje në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, duke çelur kështu sezonin e ri në këtë institucion. Kompozuar nga gjermani Karl Orff në vitin 1936, “Carmina Burana” vjen e përshtatur në një version ndryshe për skenën shqiptare nga koreografi Arian Sukniqi. Në këtë produksion, të konceptuar në 25 pjesë, janë angazhuar shumë solistë, ku kënga dhe baleti janë të njësuara. Në rolet kryesore interpretojnë këngëtarët e talentuar Erlind Zeraliu dhe Erjona Gjyzeli dhe balerinët Dion Gjinika, Erald Zela, Suela Guri, Elona Nallbani, Elona Dervishi, Fatos Alla, ndërsa orkestra e TKOB është dirigjuar nga italiani Fabio Pirona. Si koncept bazë shfaqja zhvillohet në formën e një muzikali nën një gjuhë koreografike me dominancë neoklasike. Libreti i “Carmina Burana” është një përmbledhje poezish të gjetura në një dorëshkrim të shekullit të XIII, i ardhur nga kuvendi Benediktbeuern. Termi Carmina Burana u zgjodh nga studiuesi Johann Andreas Schemeller në 1847 me rastin e publikimit të parë të dorëshkrimit. Një kod i tillë përfshin 315 vepra poetike mbi 112 fletë pergamene të zbukuruar me miniatura. Mendohej që të gjitha poezitë ishin të destinuara për t’u kënduar, por deri më sot është mundur të ndërtohet ecuria melodike vetëm e 47 prej tyre. Në 1937, kompozitori gjerman Carl Orff muzikoi disa pjesë të “Carmina Burana”, duke realizuar një opera me të njëjtin emër për orkestër, kor e tre solistë. Orff zgjodhi të krijonte një muzikë të re, ndonëse në dorëshkrimin origjinal gjendej një gjurmë muzikore për disa prej tyre.