“Nexhmija vazhdon të kërkojë llogari”
ANILA MEMA
Në një kohë kur botimi i veprës “Zonja e zezë” sapo është hedhur në tregun franko-zviceran, nga shtëpia botuese “Favre”, vetë personazhi i kësaj vepre, Nexhmije Hoxha del pas shumë kohësh në një intervistë dhe rrëfen jetën e saj krah Enver Hoxhës. Vepra e botuar nga Fahri Balliu, është një vepër-skaner për komunizmin, që sot flet shumë gjuhë të botës. Por si e komenton autori i saj, deklaratat e Hoxhës për median, kundërvëniet e saj kundrejt kryeministrit të vendit, Sali Berisha, shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, apo vetë veprës “Zonja e zezë”. Sipas Balliut, krimi i Nexhmijes me këtë dalje është i barabartë me krimet reale që jo ka bërë.
“Zonja e zezë”, një libër që u prit me mjaft bujë gjatë botimit në shqip, rreth më shumë se një vit më parë. Sot në çfarë gjuhe e kemi?
Pas tetë botimeve radhazi, libri “Zonja e zezë” u përkthye fillimisht në maqedonisht, për shkak se ajo është një gjuhë e cila qëndron kapërcyell midis rusishtes dhe gjuhëve sllave të Ballkanit dhe për t’i hapur një korridor përkthimesh të tjera si në bullgarisht, serbo-kroatisht. Në Maqedoni është pritur shumë mirë dhe është një libër që e ka të garantuar suksesin për shkak se “Zonja e zezë” është një personazh shumë i njohur i diktaturës dhe është një personazh që jeton e që vazhdon të përpiqet të influencojë. Libri ka dhe parathënien e Kadaresë, që është një ndihmë shumë e madhe për këtë botim, pasi shkrimtari e ka renditur Nexhmije Hoxhën, me Elena Çausheskun, Çen Çin e Kinës dhe gjithë gratë që kanë ushtruar një pushtet kriminal në kohën e komunizmit. Dhe kjo ka ndihmuar librin dhe sukseset e tij. Ndërkaq botimi i fundit është bërë në frengjisht nga shtëpia botuese franko-zvicerane “Favre” me titullin “Nexhmija, gruaja e djallit”. Së shpejti pritet botimi në anglisht pasi është bërë përkthimi dhe ndërkohë është duke u përkthyer edhe në gjermanisht.
Në të njëjtën kohë, kur botimi i “Zonjës së zezë” po bëhet në gjuhë të ndryshme, pas shumë kohësh vetë personazhi i veprës suaj, Nexhmije Hoxha, del dhe flet. Si e komentoni ju, deklaratën e saj të para pak ditëve?
Ajo doli në radhë të parë kundër botimit të librit, i cili ka marrë një përhapje të madhe dhe njerëzit janë ndriçuar me fakte dhe interpretime të vërtetë. Ajo doli me shpurën e vet që ka prapa e cila është serioze, megjithëse e padukshme, është e kamufluar, por është e fortë financiarisht dhe politikisht. Doli për të kundërshtuar sadopak të vërtetat e mëdha që ka ky libër. Natyrisht doli dhe foli siç donte vetë, pa asnjë pengesë, ndonëse u cilësua si “Një zonjë e vërtetë”. Ajo nuk ka qenë kurrë një zonjë ajo është shoqe. Shoqja Nexhmije nuk mund të jetë Zonja Nexhmije. Por për të fshehur krimet 50-vjeçare, natyrisht duhen gënjeshtra 50-vjeçare të mëdha dhe të fuqishme. Intervista e saj është një poshtërim i opinionit publik, shqiptar dhe opinionit mbarë shqiptar. Një poshtërim për inteligjencën, për politikën, ku për këtë të fundit është dhe një gjobë, pasi është ajo përgjegjëse dhe nuk ka mundur të ekzaminojë dhe skanojë krimet realisht që ka bërë përpara përgjegjësisë ligjore. Dhe nëse ajo ka poshtëruar opinionin shqiptar që është dergjur nën dhunë me krimet dhe vrasjet, internimet, dëbimet dhe gjithë ekzekutimin diktatorial të jetës që kjo i bënte, ajo i ka dhënë dhe bërë një gjobë të dukshme.
Gjatë kësaj interviste të saj, Hoxha iu kundërvu shumë personave...
Nexhmija gjatë intervistës shau tre veta për të qenë aktuale dhe treguar realisht se ku ajo e ka merakun. Këta ishin; Sali Berisha, Ismail Kadare dhe mua për librat. Në këtë kuptim ajo nuk ruan një frymë historike, por është edhe aktive dhe kjo për shumë njerëz të zakonshëm dhe rëndomtë është pak e vështirë dhe çdo ditë që kalon zbulohet ajsbergu i ekzistencës jo vetëm mentalitetit dhe mendësive të Nexhmije Hoxhës, por dhe i fuqive dhe resurseve ekonomike që operojnë në fusha të ndryshme. Intervista është tronditëse për faktin që jo vetëm bën alibinë e komunizmit dhe diktatorit Enver Hoxha, por është tronditëse sepse jo vetëm që nuk tenton të kërkojë falje por përkundrazi, kërkon llogari. Dhe falje sipas saj duhet të kërkojnë ata që kanë prishur kanalet, që kishte bërë ajo me burrin. Dhe është degustuese, është i barabartë krimi i Nexhmijes me këtë dalje me krimet reale që jo ka bërë.
Po kundërshtinë e saj për kryeministrin Sali Berisha si do ta komentonit?
Ajo i kundërvihet Berishës me të drejtë, pasi ai është lideri historik i shembjes së komunizmit dhe emblemë kundër komunizmit, që do të mbetet emri i tij dhe krijimtaria e Kadaresë, e cila është totalisht disidente, totalisht antidiktatoriale dhe si e tillë, ajo nuk mund të rrijë pa përmendur as Berishën, as Kadarenë. Sigurisht edhe mua duke më përfshirë për shkak të librave. Nexhmije Hoxha është një institucion i së keqes shqiptare, që jeton. Ajo është përfaqësimi më emblematik, i tërheqjes së Shqipërisë në drejtim të linjave të vjetra të Azisë, Serbisë, Rusisë e Kinës. Eshtë një frymëzuese e fshehjes së krimit, e destabilizimit dhe e prishjes së frymës së konsensusit perëndimor. Jeta shqiptare dhe ajo përpiqet që me destruktivitetin e vet, me linjat e saj, me botimet ajo paraqet në total se është emblema e së keqes që i rri mbi kokë Shqipërisë ende. Nëse do të zbrisnim në plane më konkrete atëherë çdo fjali e saj ka brenda fshehjen e gjakut për të cilën ajo është përgjegjëse. Intervista e saj vuri në pozitë të vështirë klasën shqiptare, opinionin shqiptar dhe gjithë mendësinë perëndimore që ka rinia shqiptare pasi ajo përpiqet ta bëjë me një kaluar false Shqipërinë, përpiqet ta bëjë më të rrezikuar dhe është padyshim faktori më i zi dhe fati më i keq i këtij vendi.
“Nexhmija, gruaja e djallit”
“Nexhmija, gruaja e Djallit”, është ky titulli që botuesi i “Favre” ka përzgjedhur për veprën e Fahri Balliut, botuar pak kohë më parë në frengjisht. “Favre”, është një nga entet më të njohura të botimit në botën franko-fone, i cili e hodhi librin për tregun evropian gjatë gushtit, njëkohësisht në Paris dhe Gjenevë, mund të marrin informacion edhe nga parathënia e shkrimtarit Ismail Kadare, si dhe nga një prezantim shoqërues që bën vetë presidenti i shtëpisë botuese. “Një vepër esenciale për të kuptuar Shqipërinë aktuale, - thotë botuesi në pasthënien e tij, - për të kuptuar këtë realitet, të shpërfaqur përmes ndriçimit që u bëhet shkaqeve që prodhuan traumën që provuan shqiptarët gjatë diktaturës së Enver e Nexhmije Hoxhës”. “Gratë e diktatorëve kanë pasur fate të ndryshme - citohet në kopertinën e pasme të librit, dedikuar një publiku evropian nga shkrimtari Ismail Kadare. Disa prej tyre kanë qenë viktima, si gruaja e Stalinit, e cila iu kundërvu gjithmonë egërsisë së regjimit që kishte vendosur i shoqi, të tjera kanë qenë po kaq keqbërëse sa burrat e tyre, e një rast spikatës mishërohet tek zonja Mao, por edhe pse më pak e njohur se këto, Nexhmije Hoxha ishte më e poshtra ndër të gjitha, mund të themi se qe më e keqja”.