Martohet në burg Zani Çaushi
BURREL/ HASAN PASHA
Martohet në burgun e Burrelit Zani Çaushi. Në një ceremoni të mbajtur sekret, 38-vjeçari vlonjat, i dënuar përjetë, u lidh në martesë me një vajzë nga fshati Vinjoll i Matit. Vajza matjane Arjana Panxha i ofroi dashurinë e saj djalit vlonjat disa muaj më parë, për të kurorëzuar martesën paraditen e së martës. Zani nuk ka pranuar njerëz të tjerë dhe as mediat në këtë ceremoni. Përveç çiftit ishin të pranishëm drejtori i burgut të Burrelit, Shkëlqim Gjoçuka, përgjegjësi i gjendjes civile Lis dhe kryetari i komunës Lis, Agim Selita. Ceremonia është organizuar në katin e parë të godinës së administratës të burgut, në sallën e gjyqeve të së dënuarve. Arjana Panxha ka servirur për të pranishmit në ceremoninë e celebrimit llokume dhe ëmbëlsira të tjera dhe ka marrë nga ata urimin: "Të trashëgoheni! Jetë të lumtur!". Ceremonia ka qenë e shkurtër dhe mbresëlënëse për të pranishmit e paktë. Drejtori i burgut Gjoçuka dhe kryetari i komunës Lis, Selita, njëkohësisht bashkëfshatar i Panxhës, kanë bashkëbiseduar për pak minuta me Çaushin dhe Panxhën. Mësohet se gjatë bisedës Zani nuk ka hezituar t'i bëjë një kërkesë drejtorit të Burgut të Burrelit. "Kam shumë dëshirë të organizojmë një ceremoni të thjeshtë në fshatin Vinjoll, në vendlindjen e Arjanës". Drejtori nuk i ka dhënë një përgjigje përfundimtare atij, por ka sqaruar se një gjë e tillë do t'i kërkohet autoriteteve më të larta të burgjeve. Nëse Zanit do t'i plotësohet kjo dëshirë e tij do të duhen shumë mjete e forca për të siguruar ceremoninë në fshatin e largët malor të Matit. Gjatë kohës që të pranishmit shkëmbenin fjalë me njëri-tjetrin përgjegjësi i gjendjes civile, Qemal Heta merrej me plotësimin e dokumentacionit ligjor për martesën e Myrteza Çaushit me Arjana Panxhën. I pyetur se cilat ishin mbresat në këtë ceremoni, kryetari i komunës Lis, Agim Selita pohoi për gazetën "Panorama" se ai nuk kishte vajtur në mjediset e burgut për të qenë dëshmitar në ceremoninë e martesës, por për të siguruar dokumentacionin e gjendjes civile të komunës Lis. "Nuk bisedova gjatë as me Zanin dhe as me Arjanën. Thjesht u urova jetë të lumtur dhe trashëgime", tha Selita. Njohja mes Panxhës dhe Çaushit ka nisur në muajin gusht, kur e reja matjane është paraqitur në drejtorinë e burgut të Burrelit dhe ka kërkuar të takohet me Zanin. I është thënë se duhet të paraqiste një kërkesë me shkrim dhe kështu ka bërë. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Zani. I ka drejtuar drejtorisë së burgut një kërkesë për takim me Arjana Panxhën. Takimet e para janë zhvilluar nën masa të forta sigurie dhe në prani të kamerave, ndërkohë pas lidhjes martesore çifti do të ketë mundësi të takohet më shpesh, madje dhe në takime speciale. Vajza 26-vjeçare është zhvendosur prej muajsh në Vlorë, në familjen e Zani Çaushit dhe do të qëndrojë atje vazhdimisht. Megjithëse Zani ka kërkuar që ceremonia dhe gjithçka tjetër të mbeten enigmë, të pranishmit në ceremoni sqarojnë se kjo lidhje ishte diçka e veçantë. Myrteza Çaushi është dënuar me burgim të përjetshëm për ngjarjet e vitit 1997, të cilat e bënë të njohur me nofkën "I forti i Çoles".