Plagoset me granatë 55-vjeçari
RRESHEN - Municionet e depove ushtarake, të grabitura gjatë vitit 1997 vijojnë të shkaktojnë viktima edhe gjatë ditëve tona. Ndrek Koleci, rreth 55 vjeç ka humbur njërën dorë, teksa ka qenë duke seleksionuar disa hekurishte të mbledhura gjatë ditëve të fundit me qëllim shitjen e tyre. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 12:15 të ditës së djeshme, në afërsi të Urës së Fanit në oborrin e banesës së të plagosurit Ndrekë Koleci. Granata ka qenë e tipit mësymëse me bisht druri, të cilët Koleci e kishte gjetur me disa hekurishte të ndryshkura në ferra, afër ish-repartit ushtarak. Koleci ka dëshmuar në polici se e ka parë mes hekurishteve dhe pasi e ka kapur nga doreza ka tentuar që ta hedhë diku larg në ferra. Por në sekondë është dëgjuar një shpërthim i fortë dhe siç ka treguar Koleci nuk e ka ndjerë më krahun e djathtë. Ai është gjetur i gjakosur nga dëshmitarë të rastësishëm dhe është dërguar me urgjencë në spitalin e Rrëshenit ku edhe është futur menjëherë në sallën e operacionit. Sipas mjekëve dora e djathtë është dëmtuar plotësisht nga shpërthimi i granatës. Koleci jetonte i vetëm dhe siguronte jetesën duke mbledhur për shitje hekurishte. r.n