E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritje pagash kontrollorëve të policisë

 

Qeveria rrit pagat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të policisë. Me një vendim të djeshëm qeveria ka miratuar pa përjashtim se, efektivët blu që do të angazhohen në funksion të shërbimeve mbështetëse të SHKB-së, do të përfitojnë shtesë page 2 mijë lekë të reja muaj. Ndërsa ata që do të shërbejnë në funksion të Drejtorisë së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, sipas gradave do të përfitojnë shtesa nga 6.5 mijë deri në 20 mijë lekë të reja në muaj. Qeveria pohoi dje se vendimi i mëparshëm i saj: "Për pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe Inspektimit të Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme", ndryshohet në: "Për pagat e punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe të Inspektimit të Përgjithshëm, në Ministrinë e Brendshme". Po kështu, me anë të një tabele, qeveria ka specifikuar pagat dhe rritjet për secilën nga gradat, ndërsa shtohet se për natyrë të veçantë pune e shërbimi jepen shtesat nga 2 mijë deri në 20 mijë lekë të reja në muaj. Po kështu, qeveria i ka shtuar vendimit të mëparshëm se: "specialistët, përgjegjësit e sektorit apo drejtorët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe të Inspektimit të Përgjithshëm, të cilët punojnë në pozicione që lidhen me procesin e informatizimit të veprimtarisë së këtyre drejtorive dhe kërkojnë në mënyrë të detyrueshme, arsimin e lartë në degët "Inxhinieri elektronike" apo "Informatikë", përfitojnë një shtesë, për kushte pune, prej 10 mijë lekësh të reja, mbi pagën mujore, të gradës përkatëse. Zbatimi i kësaj shtese, për pozicionet konkrete bëhet pas miratimit paraprak të departamentit të Administratës Publike dhe Ministrisë së Financave, sipas përshkrimit të pozicioneve të punës". Më tej, Këshilli i Ministrave ngarkon ministrin e Brendshëm për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe efektet financiare i shtrin që nga një korriku i vitit të kaluar. Ndërkohë për këtë vit, efektet financiare të këtij ligji do të përballohen nga fondet e miratuara për Ministrinë e Brendshme. Në relacionin që ministri i Brendshëm Bujar Nishani, dhe ai i Financave Ridvan Bode, i kanë bashkëngjitur këtij vendimi thuhet se rritja e pagave të punonjësve të SHKB-së bëhet në mbështetje të politikës së qeverisë për rritjen e pagave të buxhetorëve në tërësi. Gjithashtu, parashikohet aplikimi i shtesës për kushte pune për specialistët, përgjegjësit e sektorit apo drejtuesit në SHKB, që punojnë në pozicione që lidhen me procesin e informatizimit të veprimtarisë së këtij shërbimi. Ndërsa shtesat për natyrë të veçantë pune për kreun e SHKB-së dhe të Inspektimit të Përgjithshëm është parashikuar të jetë 20 mijë lekë të reja në muaj, në mënyrë që këto dy funksione të barazohen me pagë me titullarë të tjerë të ngjashëm të institucioneve në varësi të ministrit të Brendshëm si dhe me zëvendësdrejtuesit e Policisë së Shtetit.                              fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›