Marubi: Drejtori dhe studentet u arrestuan dhunshem nga policia

Tiranë, 24 shkurt 22:28 NOA – Drejtori i shkollës “Marubi”, një punonjës si dhe disa studentë, u arrestuan dhunshëm sot nga policia.
Ky është denoncimi që bëri zyrtarisht sot në mbrëmje, Magali Perrichet, zëdhënëse e akademisë.
“Kujtim Çashku, Eol Çashku, Sabir Kanaqi (personel i Marubit, nënshtetas i Malit të Zi), Bashkim Rodoni (student), Royald Elezaj (ish-student), u arrestuan me dhunë dhe u mbajtën në stacionin e policisë për gjashtë orë para se të liroheshin dhe të ktheheshin në mjediset e Marubit”, deklaroi Perrichet
Ajo theksoi se gjatë kohës kur mbaheshin në stacionin e policisë, punonjësit e AlbaFilm-it (administratori shtetëror i Kinostudios) hoqën të gjithë instalacionet e kopshtit të mrekullueshëm artistik të Akademisë së Filmit & Multimedias Marubi, karriget, tavolinat, gjithçka.
U përpoqën gjithashtu, të hiqnin ekranin e madh, por studentët, profesorët, artistët, nuk i lejuan, ndërkohë që protestonin. Për fat të keq, punonjësit e AlbaFilmit hoqën edhe disa pemë.
Pas lirimit të tij, Çashku u bëri thirrje gjithë qytetarëve, intelektualëve, artistëve dhe studentëve, të vijnë të mbjellin pemë dhe lule në kopshtin e rrethuar me gardh teli.
Studentët do të vazhdojnë të mbajnë javën e rregullt kulturore me projeksione filmash, koncerte, lexime poezish, etj.
Në lulishte, ende qëndron ekrani i madh i bardhë, për të pritur edicionin e 4-t të Festivalit të Filmit të të Drejtave të Njeriut në Shqipëri, në prill, së bashku me tre postera të mëdhenj të edicioneve të kaluara, të ngjitura mbi blloqe betoni dhe hekuri.
Pranë qëndron një vinç i madh i parkuar menjëherë jashtë ambienteve të Marubit.
Druajmë se ata do të presin për errësirën dhe të ftohtin e mbrëmjes, kur të ketë më pak njerëz atje.
“Studentët, stafi dhe qytetarët, duan me pastërti një zgjidhje paqësore për këto ngjarje të pabesueshme që po ndodhin në një demokraci”, - deklaroi Magali Perrichet.
e.l/NOA
Shihni, videon e ditës së sotme në mëngjes, duke klikuar këtu