Arie lutjeje për Luk Kaçaj
Liriku shqiptar, Luk Kaçaj, nderohet me titullin “Nder i Kombit” nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Mbrëmë, në Akademinë e Arteve është organizuar një koncert homazh ku kanë marrë pjesë personalitete të shquar të politikës, artit dhe miq e të afërm. Ndërkohë që studentë të katedrës së kantos në Akademinë e Arteve, solistë të Teatrit të Operës, si dhe të ftuar të tjerë, kanë shoqëruar ceremoninë e dekorimit të artistit, Luk Kaçaj, nën drejtimin e udhëheqësit artistik, Burhan Spahiu, i cili është shprehur se “ky është një vlerësim shumë i madh, për këdo dhe veçanërisht për një artist, i cili ka kaluar shumë momente të vështira në jetë gjatë periudhës së persekutimit, ku sistemi i asaj kohe kundërshtuan vlerat artistike. Megjithatë, vlerat dhe meritat e tij ne ia ndërtuam në një program koncertor”. Impenjimi i studentëve të katedrës së kantos dhe pjesëmarrës të tjerë kanë interpretuar pjesë lutjeje, korale dhe arie të njohura të repertorit botëror në nderim të artistit Luk Kaçaj. “Çdo gjë është bërë me dashuri, respekt, me humanizëm njerëzor të mbështetur në baza vullnetarizmi. Ai tejçonte vlerat e mëdha të tij artistike kombëtare dhe ndërkombëtare për arsye se vokali i tij ka qenë një instrument në trupin e njeriut tepër të kualifikuar, ashtu siç i themi ne. Në kohën që interpretoi dhe në regjistrimet që ka lënë mbetet me të vërtetë një model tregues, një shkollë shumë e mirë vokale e artit operistik brenda dhe jashtë vendit, por në të njëjtën kohë edhe një akademi në vazhdimësi të traditës sonë”, - thotë Spahiu. Sipas tij, dekorata të kësaj natyre vlerësohen në bazë të vlerave që ka çdo individ, sidomos në fushën e artit. “Janë vlerat artistike interpretative, sasiore dhe cilësore në fushën e artit, ku Kaçaj ka qenë një element që është evidentuar nga shumë artistë të mirënjohur, që edhe ata kanë dëshirë të vlerësohen si ai, por që nuk kanë realizimet e këtij të fundit”, - thotë udhëheqësi artistik. Spahiu tregon se ky ishte një projekt, i cili prej kohësh diskutohej, por vetëm pasi kanë marrë miratimin e Presidentit Topi të kërkesës së komunitetit artistik, që figurën dhe portretin e artistit të madh shqiptar ta vlerësojë me titullin “Nder i Kombit”.
Koncerti është shoqëruar edhe me pamje filmike, duke shëtitur nëpër aktivitetet, filmat etj., ku artisti Luk Kaçaj ka marrë pjesë ndërvite. Materialet filmike të natës së mbrëmshme janë arritur të sigurohen nga arkivi i filmit si aspekt ilustrativ nga filmi “Skënderbeu”, ku Kaçaj ishte autori i kolonës zanore të këtij produksioni. Po ashtu janë paraqitur edhe pamje të tjera që ai i ka incizuar në kohën e monizmit kur ka qenë solist i operës marrë nga RTSH, pamje ku është përkushtuar një filmi dokumentar etj., e sipas prof. Burhan Spahiu, “të gjitha këto përbëjnë portretin modest të artistit të shquar, Luk Kaçaj”.