Zërit tim të preferuar... nga i pafati Luka
Zbulohet dedikimi i Lukë Kacajt mbi librin e Gjergj Fishtës. Alma Strazimiri nuk është nga ato zëra të dëgjuar operistikë, por në këtë intervistë ajo zbulon çfarë e lidh një muzikolog, një artist me botën e pedagogjisë. Strazimiri ishte 23 vjeç kur “blinte” nga profesori i saj i muzikës, krejt i rrallë, fjalë magjie për një talent të vërtetë. Ky kujtim ka ardhur jo rastësisht nga ish-studentja e Lukë Kaçajt, duke e shndërruar homazhin e tij përkujtimor, jo vetëm në një rast nderimi siç iu bë nga Presidenti, si “Nderi i kombit”, por në një ngjarje për të kuptuar më thellë se ç’ngjet me një artist, me gjurmën e tij, me atë që quhet biblikisht e përjetshme
Të recitoje, ta komentoje “Lahutën e Malcisë” së Gjergj Fishtës ishte një trajtë pajtimi për të hyrë në klasën e Lukë Kaçajt dhe jo çdokush e kishte këtë mundësi. Ky libër epik, ajp që mbante në sirtarët e tij liriku, i dhurohet papritur një prej studentëve të tij të preferuar bashkë me një fotografi të profesorit me mbishkrim jo të zakontë: Zërit tim të preferuar Alma Strazimirit, nga i pafati Luka. Sot pedagoge në Akademinë e Arteve, por njëkohësisht dhe mësuese në Liceun Artistik, Alma Strazimiri nuk është nga ato zëra të dëgjuar operistikë, por në këtë intervistë ajo zbulon çfarë e lidh një muzikolog, një artist me botën e pedagogjisë. Strazimiri ishte 23 vjeç kur “blinte” nga profesori i saj i muzikës, krejt i rrallë, fjalë magjie për një talent të vërtetë. Ky kujtim ka ardhur jo rastësisht nga ish-studentja e Lukë Kaçajt, duke e shndërruar homazhin e tij përkujtimor, jo vetëm në një rast nderimi siç iu bë nga Presidenti si “Nderi i kombit”, por në një ngjarje për të kuptuar më thellë se ç’ngjet me një artist, me gjurmën e tij, me atë që quhet biblikisht, e përjetshme. Arie lutjeje në nderim të lirikut, por dhe kujtesë në një memorie të rrallë si përshpirtje për të zbuluar brengën, dyshimet, gëzimin që e ndan një artist të këtij kalibri nga bota normale. Strazimiri ka sinqeritet dhe është një gjurmë e denjë duke na përcjellë në këtë intervistë krejtësisht një botë reale, të thjeshtë, por me filozofinë e artistit, ajo çka jetohet si vlerë, dhe virtyt njerëzor tek portreti i Kaçajt. Që pas kësaj interviste, nuk ngjan të ketë më perifrazimin pesimist të vetë lirikut: i pafati Luka.
Në koncertin homazh për profesor Lukë Kaçaj ju jeni përfaqësuar si një prej ish-studentëve të tij. Si jeni ndjerë?
Të flasësh për profesor Lukën është nder dhe përgjegjësi. Kam qenë një ndër studentët e tij dhe po ashtu ai ka qenë një prej pedagogëve të mi, i cili ka lënë gjurmë tek unë dhe në formimin tim. Të flasësh si ish-studentja e tij është një emocion i madh, shumë i veçantë. Ëndrra e çdo studenti të gjeneratës sime ishte që vokali i tij të dëgjohej qoftë edhe një herë nga profesor Luka. Ndërkohë që unë isha një natyrë shumë kërkuese nga vetja dhe hodha kështu një hap të guximshëm. Ishte koha kur sapo isha diplomuar në 1994-n në Akademinë e Arteve. Gjatë kësaj kohe, në një ditë të zakonshme e shikoj atë dhe marr guximin t’i shpreh këtë dëshirë. “Profesor, a ka mundësi një minutë? Unë jam Alma Strazimiri”. “Po vajzuke”, - më thotë, sepse kështu i quante të gjitha studentet e tij.
“Kam shumë dëshirë që juve të më dëgjonit një herë”, - iu drejtova unë, ndërkohë që ai pranoi duke më lënë kështu një orë takimi për të nesërmen. Atë ditë kam përjetuar një emocion shumë të madh, ndoshta edhe nga përgjegjësia e notave të shkëlqyera të diplomës, por nga ana tjetër gjendesha mes një dileme nëse isha gati për të filluar një jetë artistike, apo jo. Kisha realizuar veten, apo do t’ia filloja edhe një herë nga fillimi. Gjithsesi, klasifikohesha tek ata njerëz që kërkonin vazhdimisht nga vetja, kërkoja të testohesha në një çdo moment dhe të dëgjohesha nga njerëz të mençur. Për mua ishte fat. “Renata Tebaldi nuk ka vokal më të madh se ti, por ajo din ku me kndu”, - ishte një kompliment që më bënte vazhdimisht profesori. Në atë kohë vendosëm të bashkëpunonim dhe mbaj mend që në çdo orë mësimi, ai të krijonte një gjendje të tillë që sa të madhështonte, aq edhe të zvogëlonte, pra ndiheshe artist, por në të njëjtën kohë edhe fëmijë.
Cilat janë kujtimet më të bukura që ruani nga bashkëpunimi me profesor Lukën?
Dhurata e para që më ka bërë profesor Luka ishte libri “Lahuta e Malcisë”, të cilin unë kisha për detyrë ta lexoja, ta komentoja dhe ta recitoja me zë të lartë pas çdo ore mësimi. Mendoj se ka ndikuar shumë në formimin tim, në atë çka unë duhej të kërkoja për çdo ditë nga vetja, për të nxënë dhe për t’u rritur me të. Bashkangjitur me këtë libër ishte edhe një foto e madhe e tij, të cilën unë pata rastin ta demonstroj edhe në natën e koncertit homazh për nder të profesorit Kaçaj, si një prej detajeve nga puna me të, ku mbrapa saj shkruhej në italisht: “Zërit tim të preferuar të Alma Strazimirit, nga i pafati Luka”. Këto janë kujtime që unë i ruaj thellë në shpirt, ndërsa ajo çka ka zënë vend më tepër tek unë është një definicion jetësor i tij. Ai shikonte se unë përpiqesha të lexoja shumë teknikisht, madje edhe qaja. Ai më qetësonte duke më thënë “vajzuke, unë tlej edhe me kalu”. Ishte një proces i të kënduarit dhe të përsosurit teknikisht, vokalisht. Një proces që nuk ndodh në një orë mësimi, apo në një muaj, por duhen vite për t’u arritur, si dhe kontrolli prej një “veshi” perfekt i një njeriu të përmasave të tilla siç ishte ai, profesor Luka. Po ashtu nuk e harroj edhe shprehjen e tij që ma përmendte shpeshherë. “Asgjë mos kërko për dhuni, vajzuke”. Për mua nuk kishte kuptim tjetër, përveçse kërko në jetë më shumë paqe, më shumë liri dhe dashuri. Ky definicion i tij u bë lajtmotiv i jetës sime. Me të nis agimet dhe i reflektoj mbrëmjet. Ëndrrat e tij ishin shumë të mëdha për mua. Po ashtu me shumë emocion po përmend edhe një tjetër thënie të tij gjatë orëve të mësimit. “Në qoftë se ti do të vazhdosh kështu, do të bëj që të çudisësh botën”. Këto janë detaje që unë i kujtoj me shumë dhimbje, sepse premisat e tij për mua ishin shumë larg, ndërsa realiteti nuk ma lejonte. Në atë kohë unë prisja një fëmijë nga im shoq, ndërkohë që profesori nuk dinte asgjë, dhe as vetë unë nuk kisha guxim t’ia bëja të ditur. Sigurisht, unë jam shumë e lumtur që sot jam bërë nënë e dy fëmijëve dhe ndihem e realizuar, por profesionalisht nuk e di nëse kam bërë atë çka duhet, nëse kam arritur përmasat që ai donte.
Cila është gjendja juaj emocionale tani në këto momente, shoh që po flisni me shumë emocion, madje edhe me lot?
Dy net më parë, në koncertin kur dekorohej profesor Luka pata fatin të këndoja dhe të flas dhe jo pa qëllim pranova të zëvendësohesha nga një studente e imja, 18 vjeç. Isha shumë e ngarkuar emocionalisht, nuk e dija nëse do t’ia dilja mbanë pasi ishte vërtet përgjegjësi. Për këtë doja thjesht të isha e vërtetë. Atë natë, mendoj se e realizova, përcolla emocion me forcën e fjalës. Ajo çka unë vlerësoj sot tek njerëzit është të qenit i vërtetë. Të më vish ashtu siç je, dhe, më lër të të shijoj, të të përjetoj. Profesori ishte mbartës i kësaj vlere, ndaj ai ka hyrë në shpirtin tim dhe është vështirë të dalë. Madje, gjatë këtyre ditëve kur organizohej përkujtimorja e tij kisha nevojë vetëm të ec dhe të qaj. Ishte një ngarkesë shumë e madhe emocionale. Kisha nevojë vetëm të shkarkoja energji.
Ju na thatë që bashkë me librin “Lahuta e Malcisë” profesori iu ka dhuruar edhe një fotografi të tijën. Çfarë simbolizonte kjo dhuratë për ju?
Ishte një trajtë pajtimi për të hyrë në klasën e tij dhe jo çdokush e kishte këtë mundësi. Në atë kohë unë isha vetëm 23 vjeç, dhe nuk dija se çfarë po kërkoja. Kisha nevojë të sistemohesha dhe dikush të drejtonte sistemin tim, dhe më mirë së profesor Luka nuk mund ta bënte askush tjetër. Jeta rrodhi. Ai shkoi në ëndrrën e tij dhe unë mbeta në realitetin tim, por ajo çka unë përpiqem të realizoj çdo ditë, në marrëdhënie me studentët, si nënë, si grua, mike e me gjithçka që më rrethon janë fjalët e tij. Që gjithmonë të kërkoj në jetë shumë paqe, dashuri. Nëse ne shkëmbejmë këto energji pozitive, mendoj se bota do të ishte ndryshe. Nuk do të ishte e formës, por e përmbajtjes.
A mund të na e përshkruani me pak fjalë momentin e dhënies së këtij libri? Si e mbani mend?
Ai fliste me mua për gjithë këtë libër, pasi e dinte përmendësh. Mbaj mend që në atë kohë ai ishte mik edhe me bashkëshortin tim dhe së bashku luanin shumë “shah”, ndërsa unë nga ana tjetër duhej të lexoja dhe të komentoja librin. Duke pasur parasysh moshën time, aso kohe ishte shumë e vështirë të sillja madhështinë e Fishtës ashtu siç flet ai, me atë vokal fantastik, me atë peshë të frazës dhe kulminacion të paarritshëm, ndërsa unë thjesht përpiqesha. Atë libër unë e kam lexuar, e kam rilexuar. Po ashtu edhe fëmijëve të mi ua lexoj shpeshherë, pasi ajo është një dialektore e përkryer. I kujtoj me dhimbje dhe me shumë krenari ato momente.
Ju jeni mësuese e kantos, në Liceun Artistik, pedagoge e jashtme në Akademinë e Arteve prej shtatë vitesh, ku keni dhënë mësim në katedrën e dirigjimit, e aktualisht si në degën e kantos së teknikës vokale primare. Tek të gjitha këto arritje sa kontribut ka dhënë dora e profesor Kaçaj?
Mendoj se ai ka vendosur një gur të çmuar në themelin e formimit tim për të më sjellë këtu ku jam sot, e vërtetë, mirënjohëse dhe njerëzore.
Studentëve u flisni për të? Çfarë u demonstroni më së shumti?
Sigurisht që edhe atyre u flas shumë për të. Gjatë viteve kur unë fillova të jepja mësim, shpeshherë profesori vinte nga Shkodra duke asistuar në orët e mia të para. Ishte një guxim i madh nga ana ime. Nëse do të ishte sot gjallë, nuk do të guxoja të jepja mësim. Është përgjegjësi e madhe të kesh në dorë drejtimin e një fëmije pikërisht në një kohë kur kryhet edhe procesi i shndërrimit fiziologjik i tij. Prandaj, fjala që thotë ai “asgjë për dhuni”, është shumë e rëndësishme. Kjo është ajo çka më motivon mua për të qenë e qetë dhe korrekte në marrëdhënien time me studentët.
Ju keni bashkëpunuar për rreth tri vjet me profesorin. Detyrimisht ai ka lëvruar një metodologji të caktuar të të dhënit mësim, ndërkohë që ju sot gëzoni të njëjtin status në akademinë e muzikës dhe aktivitete të tjera. A përpiqeni të përdorni të teknikën e tij me studentët, apo keni krijuar një individualitet tuajin, tashmë?
Mosha në të cilën unë kam punuar me profesorin ka qenë shumë e re. Fakti që unë mbaj mend figurën e tij, çdo fjalë dhe detaj që ai fliste për të korrigjuar së pari veten ka shumë domethënie. Një gjë e tillë ka zënë vend edhe tek unë, gjë që me kalimin e kohës unë i kam përpunuar. Kështu, domosdoshmërish jeta të përball me një punë, një përvojë dhe një kërkese që ke në raport me atë çka do ti të jesh. Mendoj se ka ndikuar, por nuk flitet të krahasohen përmasat e mia me ato të profesor Lukës. Thjesht jam shumë e lumtur që ai njeri ka luajtur një rol të rëndësishëm tek unë. Kjo ishte edhe arsyeja që nuk këndova atë natë në koncert. Të këndosh nën emrin e tij është përgjegjësi shumë e madhe. Ndërsa të flasësh për të m’u duk më e thjeshtë, sepse sjell emocion nëpërmjet fjalës.