E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Pango: E vërteta e shkollës “Marubi”



Sqarim opinionit publik dhe gjithë mediave shqiptare

Lidhur me dezinformimin e krijuar ditët e fundit nga drejtori i “Orafilm” sh.a., z. Kujtim Çashku dhe disa media, bëjmë me dije se: Me VKM nr. 74, datë 4.02.2005 “Për dhënien pa shpërblim, të një mjedisi të shoqërisë “Albafilm Studio” Tiranë, shoqërisë “Orafilm” sh.p.k. me drejtor z. Kujtim Çashku, i është dhënë në përdorim pa shpërblim për 10 vjet një sipërfaqe prej 200 m2, për ngritjen dhe funksionimin e shkollës së lartë “Marubi”, për filmin dhe multimedial”.

Nga ana e kësaj shoqërie që nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe deri më tani janë përdorur jo vetëm 200 m2 të falura nga ish-Kryeministri Fatos Nano, por dhe gjithë godina dhe sipërfaqja funksionale e saj, pra një sipërfaqe prej 1822 m2, sipërfaqe nën objekt. Subjekti nuk ka paguar asnjëherë asnjë detyrim ndaj shtetit për periudhën e përdorimit të këtyre ambienteve nga data 4 shkurt 2005 deri më 1 shkurt 2009. Përveç kësaj, subjekti në fjalë ka uzurpuar edhe 2.924 m2 sipërfaqe jashtë godinës që kërkon t’i përdorë për interes privat. Asnjëherë nuk është penguar mbarëvajtja e shkollës dhe forcat e rendit nuk kanë ndërhyrë aspak për këtë. I është kërkuar z. Çashku vetëm të shlyejë detyrimet ndaj shtetit për sipërfaqen 1475.6 m2, detyrim i cili kap shifrën e 41.316.800 lekë dhe të largohet nga sipërfaqja e lirë e uzurpuar prej 2.924 m2.

Shoqëria “Orafilm” sh.p.k., gjithmonë ka refuzuar bashkëpunimin për gjetjen e rrugëve ligjore, duke pretenduar se është një institucion arsimor që i shërben artit dhe kulturës dhe duhet mbështetur nga ana e shtetit. Sqarojmë se subjekti në fjalë kryen aktivitet privat dhe shkolla është jopublike, ku mësimi kryhet kundrejt pagesave nga studentët që e frekuentojnë atë.

Sqarim i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›