E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biblioteka, skedarë plot me karrige bosh…

Autori i Lajmit: red.
Ndonëse institucionet bibliotekare të shqiptarëve në shtetin e tyre janë relativisht të reja, tradita bibliotekare në Shqipëri është e vjetër. Dëshmi të shumta vërtetojnë se gjatë Mesjetës në oborret e princërve shqiptarë, si dhe të bujarëve, kontëve, arhondëve etj., funksiononin kancelari në të tria gjuhët diturore të kontinentit: latinisht, greqisht, sllavonisht e, pranë tyre, edhe bibliotekat përkatëse. Pozicioni gjeo-historik i shqiptarëve në zonën e kalimit nga Perëndimi në Lindje dhe anasjelltas u mundësonte atyre kontaktet librore si me Kostantinopojën, ashtu dhe me zhvillimet e “përtejdetit”. Cezura osmane qe një ndërprerje e dhunshme e këtyre zhvillimeve. Megjithëkëtë, edhe nga gati pesë shekuj sundimi osman, shqiptarët nuk e humbën traditën bibliotekare. Në kushtet e reja, ajo u përcoll kryesisht nëpërmjet bibliotekave të familjeve të mëdha, të pashallarëve e bejlerëve, por edhe atyre të institucioneve fetare: abacive benediktine, kuvendeve françeskane e jezuite, manastireve ortodokse, medreseve, teqeve të bektashinjve etj.
Çfarë ka ndodhur me traditën e leximit?
Libri, nëna e dijes, dashuria e dikurshme e brezit të ri, sot duket se është harruar dhe pluhurosur në raftet e katit të nëndheshëm të Bibliotekës Kombëtare. Kryevepra nga autorë të mëdhenj të letrave shqipe, thesaret e historisë sonë nuk ngjallin më asnjë interes për lexuesin. Duket sikur vëmendja është përqendruar diku tjetër dhe bibliotekës së madhe në qendër të Tiranës vazhdojnë t i shtohen rrudhat. Skedare dhe emra të dëgjuar për të cilët u bë vite që nuk interesohet më askush. Kolosë të penës që dikur diskutoheshin me zjarr nga lexuesit e tyre fanatikë, tashmë kanë rënë në qetësi. Prej kohësh tradhtia ndaj tyre ka marrë dhenë. E kujt i bie në mendje të shkojë në bibliotekë për të kërkuar një libër? Kjo për shumë arsye. Ajo që u ka thyer më shumë zemrën faqeve të librit është interneti, në të cilin mund të gjesh çdo gjë joshëse që të bën të largohesh nga fleta e librit.
Në sallën e bibliotekës, të moshuarit lexojnë gazeta
Salla e bibliotekës, që dikur ishte vendi i takimit të të rinjve të kryeqytetit, sot është shndërruar në vendin ku takohen vetëm të moshuarit, mëngjeseve herët për të lexuar shtypin e ditës. Pikërisht aty, në sallën e drunjtë të mbuluar nga raftet, sheh tek-tuk tre të moshuar që kalojnë mëngjesin duke lexuar "for free" gazetat. Ashtu sikurse në sale, edhe në sportelin e bibliotekës apo pranë kompjuterëve ku gjen kodin e çdo libri që kërkon, sheh dy apo tre gjimnazistë që kërkojnë librin që do të kenë këtë javë bisedë letrare. Kledia, një vajzë në vitin e dytë të shkollës të mesme, tregon se këtë javë kanë si bisedë letrare librin e autorit Jakov Xoxa, "Lumi i vdekur". "Më duhet ta lexoj, qoftë të paktën hyrjen për të bërë detyrën", tregon vajza 16-vjeçare.
Të rinjtë pa bibliotekë personale
Të kishe një bibliotekë personale ishte një traditë e qëmotshme që, fatkeqësisht, nuk u trashëgua nga brezi në brez. Një libër dhuratë, apo blerja e librit më të fundit çdo muaj, zakoni i vjetër është zëvendësuar nga një kafe më shumë apo një fundjavë në "Karaoke". Janë të paktë të rinjtë që preferojnë të blejnë libra dhe akoma më të paktë ata që i bëjnë dhurata. Ervis Prifti, student në vitin e tretë në Fakultetin Shkencave të Natyrës, tregon se "të paktët libra që kam në shtëpinë time janë të babait tim. Disa herë prindërit më kanë bërë dhuratë libër për ditëlindje. Nuk më kujtohet libri i fundit që kam lexuar, por ka qenë letërsi e huaj".
Më mirë online, se përballë një libri…
Më mirë online se përballë një libri, kjo është filozofia më e re e të rinjve shqiptarë që tashmë është shndërruar në praktikë të përditshme. Të pyetur nga gazeta, tetë nga dhjetë të rinj pohojnë se kalojnë më shumë se 4 orë në ditë përpara "PC-së" në internet dhe konsumojnë maksimumi 2 orë në javë përpara një libri. "Nuk është e nevojshme të blej një libër, i cili edhe mund të kushtojë, pasi informohem për ngjarjet e reja lidhur me shkencën apo shkëmbej informacione nëpër forume online. Kështu bëj edhe miq të rinj nga e gjithë bota", - tregon Blerina, studente në Fakultetin Filologjik.

Tradita e hershme
10 dhjetor, 1922
Kur hidheshin themelet…
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë (më tej BKSh), si institucion i parë shtetëror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 dhjetorin 1920. Si bërthamë e saj shërbeu fondi i bibliotekës së “Komisisë Letrare Shqipe”, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, krijuar në qytetin e Shkodrës në vitin 1917 në kontingjencat e njohura të Luftës së Parë Botërore. Më 1920 ky fond u vendos në Ministrinë e Arsimit, Tiranë. Mbas vitit 1920 u bënë përpjekje për pasurimin e këtij fondi, si dhe për riorganizimin e bibliotekës si institucion kombëtar.
Në momentin e përurimit si BKSh, 1922, ajo kishte rreth 6.000 vëllime. Për periudhën e paraluftës, spikat veprimtaria e saj në vitet e Mbretërisë Shqiptare (1928-1937), kur institucioni drejtohej nga atdhetari dhe lëvruesi i gjuhës shqipe, Sotir Kolea.
Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti BKSh me një koleksion prej 15.000 vëllimesh. Ajo u vendos në një nga ndërtesat më të mira të asaj kohe, e cila shërben edhe sot si “aneks” i saj. Koleksionet me karakter albanologjik u rritën kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe bibliotekave private të personaliteteve të kulturës. Në fund të vitit 1947, fondi i saj numëronte rreth 100.000 vëllime. Ngjarje me rëndësi për BKSh, por dhe për kulturën kombëtare, ishte dalja më 31.05.1948 e dekretit "Mbi dërgimin e detyrueshëm të shtypshkrimeve Bibliotekës Kombëtare", sipas të cilit asaj i dërgoheshin falas një numër ekzemplarësh të çdo shtypshkrimi të vendit. Ky dekret i dha mundësi BKSh të kryejë rolin e qendrës arkivore të të gjitha botimeve të vendit dhe të botojë më pas Bibliografinë Kombëtare të librit shqip. Dekreti është ndryshuar e plotësuar disa herë. Botuesit detyrohen t i dërgojnë BKSh nga 5 kopje të çdo botimi të tyre. Nga institucion në vartësi të Institutit të Shkencave, në vitin 1959 BKSh kaloi në vartësi të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës. Në vitin 1966 ajo u zhvendos në një pjesë të ndërtesës së re të Pallatit të Kulturës, ku gjendet dhe sot. Ndryshimet demokratike të viteve 90 sollën mundësi ndryshimi edhe në politikat e Bibliotekës Kombëtare. Nga modeli i bibliotekave të Evropës Lindore, me kufizime të skajshme në sigurimin e informacionit dhe shfrytëzimin e disa kategorive të literaturës, ajo kaloi në heqjen e barrierave kufizuese të kësaj natyre, duke shkuar drejt lirisë së plotë të informacionit për përdoruesit.
Ky lajm është publikuar: 19/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›