Masa; “Arrest shtëpie” për mjekun Nelaj, akuzohet për “korrupsion”
“Arrest shtëpie” për mjekun Ardian Nelaj, i akuzuar për veprën penale të “korrupsionit”. Kjo ka qenë masa e caktuar mesditën e djeshme nga gjyqtari Martin Deda, pas kërkesës së prokurorit të hetimeve paraprake. Shefi i klinikës së spitalit të burgut akuzohet se ka marrë para ndaj një shtetaseje, përkatësisht 25 mijë lekë të reja. Ashtu si dhe në momentet e para të arrestimit, edhe gjatë ballafaqimit të parë me gjykatën, mjeku 38-vjeçar nuk e ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij nga prokuroria. Megjithatë, gjykata vendosi masën e arrestit në shtëpi deri në përfundim të hetimeve, duke i lënë kohë organit të akuzës të zbardhë këtë çështje. Lidhur me akuzën e ngritur, familjarë të mjekut, të pranishëm në ambientet e Gjykatës së Tiranës, shprehen se i afërmi i tyre nuk mund të akuzohet për korrupsion dhe se i gjithë inskenimi ka ardhur nga një ish-mjeke, e cila ka dashur gjatë gjithë kohës t’i zërë vendin në spital. Sipas tyre, mjeku Nelaj prej një jave ka qenë nën presion të vazhdueshëm dhe nën kërcënime prej kësaj shtetaseje. Madje, lidhur me këtë kërcënim ka qenë në dijeni gjithë familja. Ardian Nelaj, me profesion mjek - kirurg, u arrestua katër ditë më parë, si i dyshuar për marrje parash nga pacientë në këmbim të kryerjes së operacioneve kirurgjikale, të cilat i zhvillonte në sallën e urgjencës së spitalit nr. 2 Tiranë. Gjatë arrestimit, atij iu sekuestrua me cilësinë e provës materiale shuma e parave prej 545.000 lekësh, 760 euro dhe 100 dollarë. Kjo çështje po hetohet nga njësia "Task-Force" e ngritur pranë Prokurorisë së Tiranës për luftën kundër korrupsionit.