Një vajzë nga Tropoja gjendet me damarë të prerë në Durrës
Durrës – Një vajzë nga Tropoja, gjendet në spitalin e Durrësit në gjendje të rëndë, pak orë pasi u zbulua me damarë të prerë dhe e përgjakur në banesën e saj në Arapaj të rrethit bregdetar. Burime zyrtare të policisë së Durrësit, thanë dje për gazetën se 16-vjeçarja S. P., lindur në Bajram Curri Tropojë dhe banuese në Arapaj - Durrës, nxënëse në shkollën e këtij fshati, u gjet në gjendje të fikëti dhe u dërgua nga familjarët në spital. “Nga deklarimet e familjarëve rezultoi se e mitura S. P rreth orës 10. 00 ka qenë në shtëpi duke bërë punët e shtëpisë ku e ka gjetur nëna e saj duke larë dorën të cilën e kishte me gjak dhe më pas i ka rënë të fikët”, - detajoi policia. Familjarët thanë se e kanë dërguar menjëherë në Spitalin e Durrësit, ku u konstatua se ishte dëmtuar në dorën e majtë tek damarët afër kyçit. Mbas mjekimeve të marra në spital, 17-vjeçarja ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia tha se u krye vendimi i Ekspertimit mjeko-ligjor, kurse po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Zyrtarisht, policia konfirmoi se po heton për veprën penale të “Shkaktimit të vetëvrasjes e mbetur në tentativë”, por refuzoi të japë hollësi të tjera.
2 Qershor 2009