E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrja e licencave, pranë një zyre të vetme

Në fillim të vitit 2009 do të ketë vetëm një zyrë për marrjen e licencave. Këtë fakt e ka konfirmuar dje këshilltari i Kryeministrit për ekonominë, Selami Xhepa, i cili tha se projekti në fjalë do të unifikojë procedurat. Marrja e një licence aktualisht kërkon në burokraci, para dhe humbje kohe, pasi duhet të trokasësh në mbi 10 zyra. Projekti i qeverisë ka ndërmend t’u heqë kompetenca ministrive të ndryshme për dhënien e licencave dhe kalimin e këtyre të fundit të Zyrat e Regjistrimit të Bizneseve. Duke filluar nga viti tjetër, mjafton aplikimi online dhe mund të përfitosh licencën e kërkuar brenda kërkesave të dokumentacionit të ligjit. “Projekti i qeverisë do të unifikojë procedurat për marrjen e licencave në një zyrë të vetme”, - tha Xhepa. Ndërkohë, projekti aktual për regjistrimin e bizneseve të reja pranë QKR-së, duket se po funksionon. Drejtori i kësaj qendre, Tom Kola, tha dje se brenda 7 muajve të parë janë regjistruar rreth 14 mijë biznese të reja, e pakrahasueshme me 4 mijë biznese që kanë shpallur falimentimin në katër vite. Sipas praktikës aktuale që pritet të jetë e njëjtë edhe për marrjen e një licence, aplikimi për regjistrimin fillestar mund të bëhet në sportelet e QKR-së në Tiranë ose në sportelet e shërbimit, të vendosura në bashki. Lista e bashkive dhe e vendndodhjeve të tyre është e publikuar në këtë faqe zyrtare të internetit të QKR-së. Në rastin kur brenda afatit prej 1 dite nga paraqitja e aplikimit për kryerjen e një regjistrimi, QKR-ja nuk ka njoftuar pezullimin e regjistrimit ose refuzimin e tij, atëherë aplikimi për regjistrim presupozohet i pranuar. Në këtë rast, sistemi i informatizuar i QKR-së jep automatikisht autorizimin për regjistrim. Pas miratimit të regjistrimit të ri, QKR-ja njofton në mënyrë elektronike njëkohësisht Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim-Taksave dhe autoritetin përkatës fiskal bashkiak për regjistrimin e një subjekti të ri bashkë me NIPT-in e tij për efekte fiskale si dhe transmeton të dhënat e regjistrimit të aplikantëve te këto autoritete. Për çdo subjekt të ri, të regjistruar në Regjistrin Tregtar, QKR-ja njofton gjithashtu bashkitë e komunat ku këto subjekte kanë selinë apo vendet e ushtrimit të aktivitetit. Njoftohen gjithashtu për regjistrimin e ri autoritetet e Inspektoratit të Punës, të Sigurimeve Shoqërore dhe të Sigurimeve Shëndetësore. Çdo subjekt që kryen regjistrimin fillestar, mbart edhe detyrimin të regjistrojë çdo ndryshim në të dhënat e njoftuara dhe në dokumentet shoqëruese që depozitohen në regjistër, sipas seksionit III. Gjithashtu, në rast të pushimit të përkohshëm të veprimtarisë tregtare çdo subjekt duhet të plotësoje dhe dorëzojë në sportelet e QKR-së edhe formularin përkatës për pushim të përkohshëm të veprimtarisë. Nëse pas verifikimeve të formularit të aplikimit dhe të dokumenteve shoqëruese, nëpunësi i autorizuar i QKR-së konstaton se aplikimi nuk është në përputhje me kërkesat e ligjit, ai pezullon regjistrimin brenda afatit maksimal prej 1 dite nga paraqitja e aplikimit. QKR-ja e njofton aplikantin për arsyet e pezullimit brenda një dite nga marrja e aplikimit për regjistrim, nëpërmjet një dokumenti të lëshuar nga sistemi i informatizuar në çdo sportel shërbimi të QKR-së. Aplikanti ka një afat 15-ditor për plotësimin ose ndreqjen e elementeve që pengojnë regjistrimin. Aplikanti mund të kontrollojë statusin e aplikimit online duke përdorur numrin unik të dosjes që ai ka marrë, pasi ka dorëzuar formularin e aplikimit. Arsyet e pezullimit nuk publikohen në faqen e internetit të QKR-së, por mund të komunikohen elektronikisht me email për aplikantët, të cilët kanë përdorur funksionin "Apliko On-Line" ose të cilët, kanë dhënë një adresë email-i në formën e aplikimit. Përndryshe, aplikanti duhet të paraqitet në sportel për marrjen e dokumentit të sipërpërmendur, i cili jep arsyet për pezullimin e regjistrimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›