E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gladiatori i Artë” për grekët dhe slloveno-gjermanët

Pas filmit të parë që hapi edicionin e Festivalit Ndërkombëtarë të Filmit në Durrës, “Koha e Kometës”, i regjisorit Fatmir Koçi, mbrëmë ishte radha bashkëprodhimit slloveno-gjerman dhe e një filmi grek. Filmi “Installation of love” dhe ai grek “Correction”, ishin konkurrentët e radhës për çmimin “Gladiatori i Artë”.

Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme janë realizuar konferenca shtypi, takime pune dhe veprimtari të tjera të veçanta, ndërsa për publikun e gjerë filmat konkurrues do të shfaqen në amfiteatrin antik të qytetit bregdetar.

Pas ceremoninë së hapjes së festivalit që u zhvillua para teatrit “Aleksandër Moisiu” nga presidenti i festivalit, njëkohësisht kryetar i bashkisë së qytetit, Vangjush Dako, mbi tapetin e kuq, janë ngjitur artistët pjesëmarrës të këtij edicioni, si dhe artistë të ftuar nga vendi dhe bota për të ndjekur veprimtarinë e parë të këtij lloji në vendin tonë. Festivali u hap me premierën e filmit “Nata e kometës” me regji të Fatmir Koçit. Filmi vjen si një bashkëpunim shqiptaro-gjerman dhe sjell atmosferën e vitit 1914, përshkuar mjeshtërisht në romanin e Ismail Kadaresë “Viti i mbrapshtë”. Aktorët Blerim Destani, Marsiela Lusha, Thomas Heinz, Çun Lajçi etj. ishin interpretët e personazheve të këtij filmi që u përshëndet nga publiku pjesëmarrës. Më pas artdashësit ndoqën filmin “Black horses” (Kuajt e zinj), një prodhim kinematografik serb, që synon të dëshmojë luftën për identitet të popullit fqinj në fillim të shekullit të kaluar. Filmi i drejtuar nga Ljubisha Samarxhiç dallohej për lojën e thjeshtë aktoriale.

Edicioni i parë i International Summer Fest Film do të vazhdojë deri më 31 gusht dhe në të do të konkurrojnë 16 filma të përzgjedhur mes 51 filmave aplikantë nga 23 vende të botës.

Në edicionin e parë të Festivalit të parë Ndërkombëtar të Filmit një seksion i veçantë i është kushtuar “rikthimit të kinemasë shqiptare” gjatë të cilit, do të shfaqen 12 filmat fitues të po kaq edicioneve të Festivalit të Filmit Shqiptar në vite. Përveç çmimit të madh “Gladiatori i Artë”, juria ndërkombëtare do të vlerësojë me çmime edhe aktorin e aktoren më të mirë, regjinë më të mirë, si dhe do të ketë një çmim special të saj për filmin më të mirë, si dhe një çmim për karrierën.

Të veçantat e mbrëmjes së parë të festivalit

Ceremonia e hapjes së edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit u përshëndet nga fishekzjarret e shumta, ndërsa në tapetin e kuq modest që ishte shtruar vetëm në shkallët hyrëse të teatrit, nuk u ngjitën vetëm protagonistët e festivalit, por që të gjithë të ftuarit dhe spektatorët e natës së parë. Mbi 25 përfaqësues të mediave televizive dhe të shkruara ndoqën ceremoninë e hapjes, ndërsa u vu re kujdesi i veçantë i stafit të filmit “Koha e kometës” për të komunikuar me të gjitha mediat pjesëmarrëse.

Blerim Destani, aktori që mishëron rolin e Shestanit tha se ka punuar për këtë projekt që prej 3 vjet e gjysmë dhe është mjaft i gëzuar që premiera e filmit po realizohet në Durrës. “Ne kemi shfaqur copëza filmi në Festivalin e Berlinit dhe kemi marrë përshtypje mjaft të mira nga kritika e specializuar”, - shprehet ai. Producenti Alain Midzic tha se “origjina e tij boshnjake i ka dhënë mundësinë ta njohë mentalitetin e luftës dhe të paqes në Ballkan, prandaj nuk ka hezituar të jetë pjesëmarrës në realizimin e këtij filmi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›