E Diel, 1 Nëntor 2026

Masa ndaj Limajt, Krasniqi: Gjykata, jo vendime politike

PRISHTINE- Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi ka deklaruar se pret që drejtësia ta kryejë punën në mënyrë të pavarur pa u ndikuar nga politika, në lidhje me masën e arrestit të dhënë dje për ish-ministrin kosovar Fatmir Limaj. Ai ka deklaruar për gazetën Express se vendimet e gjykatës duhet të jenë mbi bazën e fakteve, e jo mbi baza politike,

“Tani kemi një vendim të gjykatës dhe si institucione dhe si njerëz që ia duan të mirën këtij vendi dëshirojmë që gjykatat në Kosovë të jenë të pavarura, të marrin veprime të drejta dhe mbi bazën e dëshmive dhe fakteve, por jo mbi baza politike. Derisa në sistemin e drejtësisë ndërhyn politika, pra për fat të keq ajo ka ndërhyrë gjithnjë, rrezikohet funksionimi normal i sistemit të drejtësisë dhe i gjyqësisë. Ne dëshirojmë që gjyqësia të jetë e pavarur ne dëshirojmë që gjyqësia të merr vendime të pavarura dhe konform fakteve dhe dëshmive që i ka duke i respektuar ligjet që i kemi në fuqi", ka thënë Krasniqi.

Gjykata e Qarkut në Prishtinë mbrëmë i ka caktuar një muaj arrest shtëpiak deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limajt, lidhur me rastin Kleçka.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›