Paralelët i nxiti Tadici

Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj ka deklaruar se ndërhyrja agresive e Qeverisë së Serbisë, përmes strukturave paralele në Kosovë ishin pjesë e një agjende politike dhe publike e prezantuar 6 muajt e fundit nga vet presidenti serb Boris Tadic dhe gjithë zyrtarët serbë për ndarje të territorit të Kosovës.
Megjithëkëtë, Hoxhaj ka thënë se pas korrikut të këtij viti, Kosova edhe më shumë e ka fuqizuar shtetësinë e vet dhe është e vendosur të shtrijë qeverisjen në ҫdo pëllëmbë të territorit të saj, pavarësisht nga provokimet e grupeve kriminale apo ndokush tjetër në veri të Kosovës.
“Gjatë takimit time me shefin e OKB-së, ai më siguroi se ngjarjet e fundit në veri të Kosovës nuk duhet të shihen të izoluara, por janë pjesë e një agjende politike të Serbisë për ndarje të një pjesë të territorit të Kosovës dhe inkorporimin e saj në Serbi. Por, mesazhi i kancelares gjermane zonjës Merkel sikur edhe diplomatëve tjerë ndërkombëtarë nga Brukseli e Washingtoni ditëve të fundit drejtuar Beogradit është i qartë, për eliminimin e strukturave paralele dhe bandave serbe në Kosovë dhe hapjen e rrugëve për zgjidhjen e problemeve teknike përmes negociatave të filluara mes Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Hoxhaj në një intervistë për agjencinë “Presheva Jonë”.
Hoxhaj ka komentuar edhe për protestat e ditëve të fundit në Luginën e Preshevës, duke thënë se Beogradi zyrtar po vazhdon diskriminimin e shqiptarëve atje duke shtyrë e stimuluar spastrimin etnik.
“Në vazhdimisht kemi qenë të preokupuar me fatin e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë për të cilën gjendje kemi ngritur zërin duke i dënuar ҫdo arseanal të dhunës dhe politikat diskriminuese të regjimit të Beogradit në atë pjesë të Evropës të cilët momentalisht gjenden më të diskriminuarit dhe më të pazhvilluarit. Shteti serb nëse është nënshkrues i konventave ndërkombëtare, nëse pretendon të jetë një ditë anëtar i BE-së, nuk ka të drejtë të bëjë këtë, të mbajë të izoluar nga Evropa këtë popullatë të diskriminuar dhe si më të pazhvilluarën në rajon, si në punësim, ashtu edhe në arsim”, ka thënë Hoxhaj duke përmendur mosnjohjen e diplomave të Kosovës nga Serbia, simbolet, festat kombëtare etj.
“Politikanët e Beogradit ju kanë krijuar pa perspektivë me qëllim të nxitjes së largimit nga vatrat e tyre dhe kjo dukuri, mënyrë diskrete e provokuar nga Beogradi po bëhet për spastrime etnike në rajonet e populluara me shumicë shqiptare”, ka thënë Hoxhaj, sipas të cilit Qeveria e Kosovës këto fakte i potencon në ҫdo takim me zyrtarë të lartë të bashkësisë ndërkombëtare.
Kryediplomati kosovar ka folur në këtë intervistë edhe për idetë e Serbisë për ndarjen e Kosovës.
Hoxhaj ka thënë me këtë rast se ndarja e Kosovës e rrezikon paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende tjera të rajonit, duke përfshirë vet Serbinë, “kur dihet se në te sot jetojnë dhe veprojnë mbi 20 minoritete”.
“Në asnjë formë, në asnjë kohë, në asnjë rrethanë, në asnjë mënyrë dhe asnjëherë Qeveria e Kosovës nuk do të lejon një gjë të tillë. Kufijtë në Ballkan janë çështje e mbyllur. Dhe gjithë popujt duhet të punojnë për një të ardhmen evropiane. Po e përsëris se këto ide të ndarjes apo këmbimeve i takojnë të së kaluarës. Sikur Prishtina zyrtare po ashtu edhe personalitetet botërore bashkë me institucione ndërkombëtare refuzojnë idenë e ndarjes së Kosovës. Këtë na e siguroi tash së fundit edhe diplomatja amerikane Hllary Clinton si dhe shefi i OKB-së Ban Ki-Moon të cikët njëzëri hodhën poshtë idetë e ndarjes së Kosovës”, ka deklaruar Hoxhaj.