Rrëshqet dheu, nuk ka rrezik për banorët
Për shkak të gërmimeve të thella në vendin ku po ndërtohet rrokaqielli prej mbi 40 kate në lagjen “Lakrishte” në kryeqytet, të premten mbrëma ka ardhur deri te rrëshqitja e dheut pas pompës së benzinës, por fatmirësisht nuk ka të lënduar.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ka rrethuar zonën dhe ka evakuuar banorët përreth për shkak të dyshimit për rrjedhje të rezervuarve të pompës së benzinës.
Alarmi më i madh për rrezik ka ardhur për shkak të afërsisë së pompës pranë vendit ku është shembur dheu, mirëpo pas ndërhyrjes është evituar rreziku.
Rreth orës 22 e 20 minuta është arritur që të hiqet gjithë karburanti, përderisa zyrtarët e komunës kanë thënë se gjithçka është nën kontroll dhe nuk ka kurrfarë rreziku.
Xhymshit Gashi, zyrtar në Drejtorinë për shërbime në komunën e Prishtinës ka thënë për Kosovapress se pompa është zbrazur nga karburantet dhe është evituar rreziku nga ndonjë shpërthim i mundshëm.
“Sasia e karburantit që ka qenë në pompë tani është zbrazur. Rreziku që nga karburantet të ketë ndonjë shpërthim eventual është eliminuar. Masat e sigurisë janë ndërmarrë nga policia, prokurorja, zjarrfikësit, inspektorët e preventivës kundër zjarrit dhe ndërtimit. Tani situata është nën kontroll. Rrëshqitje të dheut për momentin nuk ka dhe nuk ka nevojë për alarm dhe panik”, ka thënë Gashi.
Sasia e karburanteve në këtë pompë benzine ka qenë 1.900 litra benzinë dhe 1.700 litra naftë.
Ndërkaq, Vlladimir Azizaj, specialist i rrëshqitjeve nga Tirana, ka thënë se rrëshqitja e dheut ka ndodhur për shkak se kanë punuar kompani pa eksperiencë në këtë kantier ndërtimi.
“Fenomeni që ka ndodhur këtu është fenomen i rrëshqitjes. Këtë fenomen e kemi kapur para disa ditësh dhe kemi marrë masat për ta eliminuar në gjithë perimetrin. Kjo ka ndodhur për shkak se këtu kanë punuar kompani pa eksperiencë që kanë bërë rreshtin e parë të pilotave. Rreshti i parë i pilotave është i tej amortizuar dhe ne e kemi rregulluar komplet deri te hyrja, na ngeli ky dhjetë metërshi për efekt kohe pa u rregulluar”, ka thënë Azizaj.
Sipas tij, fenomeni i rrëshqitjes është shumë i përhapur në gjithë Prishtinën.
Rrokaqielli, i cili ka nisur të ndërtohet para tri vjetësh, është më i madhi në Ballkan, përkatësisht 165 metra i lartë. Projekti do të kushtojë 400 milionë euro. (KP)