E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksportet nga Kosova, Serbia ndryshoi ligjin për TVSH-në

BEOGRAD -Nuk janë problem vetëm vulat doganore që Serbia nuk po i lë mallrat “Made in Kosova” të hyjnë në territorin e saj.

Por, ka dalë një vendim i papritur i Qeverisë së Serbisë, që e ka vënë në hall Prishtinën edhe Brukselin.

Doganierët serbë kanë marrë urdhër të mos e lëshojnë asnjë kamion nëse eksportuesit nga Kosova nuk dëshmojnë se kanë certifikata të Tatimit Mbi Vlerën e Shtuar, të lëshuar nga organet e Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë (strukturat paralele serbe në Kosovë).

Kështu obligohen me ligj ta kërkojnë këtë dokument, pasi një ditë para se pala kosovare të pezullonte masat e reciprocitetit, Qeveria e Serbisë ka marrë vendim me të cilin e ndryshon ligjin për TVSH’në për Kosovë. Ky vendim ka hyrë në fuqi më 16 shtator, pas publikimit në gazetën zyrtare të Serbisë, ndërkaq tek të martën e ka mësuar dhe pala kosovare.

Pikërisht për këtë shkak edhe janë kthyer në Kosovë kamionët që po dërgonin çimento në Luginën e Preshevës.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ka kërkuar ndihmë nga Brukseli për këtë çështje pasi, sipas saj, ndryshe kanë rënë dakort me Serbinë më 2 shtator.

“Nuk kemi qenë në dijeni deri kur janë kthyer kamionët tanë. Kjo është shkelje e parimit të marrëveshjes që është arritur me 2 shtator dhe jemi në pritje të përgjigjes nga Brukseli për hapat e mëtutjeshme”, thekson Kusari-Lila.

(d.b/GazetaExpress/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›