E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masa ndaj uzurpuesve të hapësirave publike

Nga Express më 15 maj 2011 në ora 16:06

Drejtoria e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës pas shumë ankesave dhe kërkesave që ka marrë nga qytetarët, ka përgatitur planin për lirimin e hapësirave publike në kryeqytet nga anekset, muret, rrethojat, grilat, garazhet e ndërtuara në hapësirat e përbashkëta publike pa lejen e komunës.

Fillimisht është bërë incizimi i gjendjes së përgjithshme në lagjet qendrore të qytetit, më saktësisht hapësirat publike midis bulevardit “Nëna Terezë” dhe rrugës “Luan Haradinaj”, ndërsa inspektorët komunal kanë njoftuar shfrytëzuesit e këtyre hapësirave që të ndërmarrin masa dhe t’i lirojnë ato.

Për këtë qëllim zyrtarë të komunës së Prishtinës kanë ftuar të dielën shefat e grupeve të këshilltarëve të kuvendit komunal, drejtorët e drejtorive, inspektorët komunal dhe përfaqësuesit e ndërmarrjeve “Hortikulura”, “Dardania”, si dhe policinë e Kosovës, që t’i bëjnë një vizitë qendrës së qytetit, më saktësisht rrugës “Luan Haradinaj” ku janë evidentuar shfrytëzimet pa leje të hapësirave publike.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Drejtorisë së Inspeksionit, Muhamet Gashi ka thënë se gjatë kësaj vizite u vërejtën shumë parregullsi.

“Parregullsitë janë evidente dhe ato u vërejtën prej të gjithëve. Kemi të bëjmë me uzurpime klasike të hapësirave publike me rrethoja mjerisht edhe nga institucionet e ndryshme, shtojca të ndryshme anekse, shkallë dhe gjëra tjera, të cilat kanë ndodhur që nga paslufta deri më tani, mirëpo dikur duhet të fillohet kjo punë që këto hapësira t’u kthehen qytetarëve”, ka thënë ai.

Gashi ka folur edhe për grilat me të cilat janë të rrethuara institucionet për të cilat theksoi ai duhet të bisedohet me përfaqësuesit e tyre në mënyrë që komuna të intervenojë për largimin e tyre.

“Sa i përket grilave të institucioneve kemi shumë institucione që janë të rrethuara, mirëpo për çështjet e heqjes së grilave të institucioneve duhet të bisedohet edhe me këto institucione. Bëhet fjalë për shkaqe të sigurisë dhe paraprakisht edhe komuna do të japë një pëlqim nga këto institucione për të intervenuar për largimin e tyre”, ka thënë Gashi.

Problem tjetër i shfrytëzimit të hapësirave publike janë edhe panot e partive politike gjatë fushatës zgjedhore, të cilat janë ngjitur pa leje, por që sipas Gashit edhe për këtë çështje do të gjendjet një zgjidhje.

“Inspeksioni komunal në dy javët e fundit çdo ditë është në terren duke bërë evidentimin e shfrytëzimit të paligjshëm të të gjitha hapësirave publike. Në këtë rast hyn edhe reklamat edhe panotë e ndryshme të gjithave ju është drejtuar, jo vetëm PDK-së, por edhe LDK-së edhe partive tjera iu ka dërguar njoftimit që ose do të pajisen me leje në të kundërtën do të largohen”, ka thënë ai.

Gashi ka theksuar se 90 për qind e bizneseve të cilat shfrytëzojnë këto hapësira publike nuk kanë leje ose kanë leje të përkohshme, por që e kanë keqpërdorur. Ai ka shtuar se inspektorët komunal do të jenë çdo ditë në terren që t’i inspektojnë ato, në mënyrë që të merren masa ndaj tyre.

Gjatë kësaj vizite ishte paraparë të marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës Isa Mustafa, por ai nuk mori pjesë për shkaqe familjare. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›