Kosova pa ushqim të sigurt

Certifikimi me sistemin e ushqimit të sigurt HACCP i industrisë së ushqimit në vendin tonë nuk është i rregulluar me ligj, ashtu si në gjithë Bashkimin Evropian dhe tani edhe në gjithë rajonin.
Sipas vlerësimeve, shumë biznese vendore ende nuk janë të gatshëm për këtë.
Pas Bashkimit Evropian, tani edhe vendet e rajonit obligojnë me ligj të gjithë industrinë e ushqimit të pajisen me sistemin e ushqimit të sigurt HACCP. Por, në Kosovë, bizneset me HACCP pajisen vetëm në baza vullnetare, për të depërtuar në tregje të huaja. Shumë biznese tjera të ushqimit ende nuk kanë kapacitete për këtë, andaj nuk ka nguti në miratimin e këtij ligji.
Këtë për Radion Blue Sky e pranon Koordinatori i Shëndetit Publik, në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, Blerim Hajdari.
“Nuk duhet edhe shumë të ngutemi sepse industria e ushqimit mund të mos ketë resurse humane, por edhe resurse financiare për zbatimin e këtij sistemi dhe do të paraqet vështirësi në zbatimin e ligjit. Duhet të jemi real dhe të shikojmë se sa është industria e ushqimit e përgatitur për zbatimin e këtij sistemi”, tha ai.
Hajdari thotë se në momentin e rregullimit me Ligj të kësaj çështjeje, atëherë pajisja me sistemin e ushqimit të sigurt do të jetë obligative.
”Në të vërtetë, pajisja me HACCP është shumë e rëndësishme për cdo biznes, sepse përveç që e siguron konsumatorin për kualitetin e ushqimit, njëherit krijon një ndër kushtet për të depërtuar në tregje të huaja”, ka thënë eksperti i kësaj lëmie, Muhamet Disha.
“Vendet perëndimore duan ta dinë që e tërë sasia e prodhuar është në parimet e HACCP ose sigurisë së ushqimit. Sepse me këtë dëshmohet se ky produkt është i sigurt për ushqim”, tha ai.
Disha thotë se tanimë edhe vet kompanitë importuese të produkteve kosovare kërkojnë paisjen me HACCP. Sipas ekspertit Muhamet Disha, çështja e certifikimit dhe zbatimit me HACCP duhet të institucionalizohet dhe Ministria e Bujqësisë të angazhohet më tepër në këtë drejtim. /rtk/