Masa, në nëntor në pistë
E ardhmja e Renaultit është e pasigurt. Mëshira që FIA tregoi pas skandalit "crash-gate" duket se nuk mjafton që t‘u garantojë anglo-francezëve qëndrimin në Formula 1 edhe për vitin 2010. "Ing" dhe "Mutua Madrilena" bënë të ditur prishjen e menjëhershme të kontratës që i lidhte me skuadrën. "Sjellja e disa personave që mbulonin poste të rëndësishme te Reno, jo vetëm që komprometoi besueshmërinë e sportit, por rrezikoi edhe jetën e spektatorëve, pilotëve dhe personelit në cirkuit", citonte deklarata e "Mutua Madrilena". "Këto janë episode që mund të dëmtojnë edhe imazhin e sponsorit". Gjithsesi, kompania spanjolle e siguracionit theksoi se do të vazhdojë kontratën me Fernando Alonson, i cili duket pranë kalimit te Ferrari. Vetëm pak orë pas vendimit të iberikëve, erdhi edhe anoncimi i grupit holandez, "ING": "Jemi vërtet shumë të zhgënjyer nga gjithçka që ndodhi. Pas verdiktit të Këshillit Botëror dhe të fakteve pas garës së Singaporit në vitin 2008, ndërpresim menjëherë marrëdhënien me skuadrën". Logot e dy sponsorëve janë hequr nga makinat dhe nga të gjitha zonat në "pit-lane" ku ekspozoheshin. Ndërkohë, F1 ka marrë një lajm të mirë nga Felipe Masa. Braziliani i Ferrarit vazhdon rikuperimin nga aksidenti në Hungari, ku rrezikoi jetën. Ai konfirmoi se do të marrë pjesë në garën "All Stars", që do të zhvillohet në Brazil në muajin nëntor. Pilotë nga kategoritë më të mira (Formula 1, Formula Indi apo "stock car") do të konkurrojnë me makina "go-kart". "Do të marr pjesë në një sfidë mes pilotëve të njohur, një prej aktiviteteve më të rëndësishme në Brazil", tha Masa.