Prishtina, me një festival ndërkombëtar teatri
Pas festivalit të filmit, Prishtina njofton organizimin edhe të një festivali teatror. Nga data 2 deri më 8 nëntor 2009, Teatri Kombëtar i Kosovës do të organizojë Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Kosovë. Ky do të jetë edicioni i parë i këtij festivali dhe si i tillë do të mbahet nën kujdesin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z.Valton Beqiri. Për rrjedhojë do të ketë edhe mbështetje financiare nga ministria. Edicioni i sivjetshëm, në të cilin me shfaqjet e tyre do të marrin pjesë teatrot nga vende të ndryshme të botës, do të ketë këtë moto: "Këndimi, muzika dhe rituali - identifikimi dhe pikëtakimi i teatrit me vetveten". Në këtë kontekst, Festivali është konceptuar si një paraqitje e shfaqjeve teatrore, të cilat, para së gjithash, janë krijuar duke u bazuar në artin e këndimit dhe, përgjithësisht, në elementet dhe në format e ndryshme muzikore, të cilat regjisorëve dhe krijuesve të teatrit u kanë shërbyer si lajtmotiv dhe njëkohësisht si ngacmim artistik për krijimin e imazheve skenike dhe të veprimit skenik.