Specialistët: Të shtohen botimet studimore
Në kuadër të ditëve të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, është mbajtur një tryezë e rrumbullakët në qendër të së cilës ishin botimet në fushën e trashëgimisë kulturore. Studiues, specialistë të trashëgimisë kulturore, folkloristë, etnografë etj., diskutuan në lidhje me situatën e deritanishme të botimeve në këtë fushë dhe shtimin e titujve të rinj në të ardhmen. Sipas pjesëmarrësve, edhe pse aktualisht janë një sërë titujsh periodikësh dhe botimesh të ndryshme që qarkullojnë për sa u përket elementëve studimorë të trashëgimisë kulturore, numri i tyre në të ardhmen duhet të rritet me qëllim jo vetëm studimin, por edhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe traditës shqiptare. Në fund të takimit u shfaq për herë të parë filmi dokumentar "Mbi iso-polifoninë", realizuar nga muzikologu Bajram Lapi dhe regjisori Bashkim Muçaj. Vetëm disa ditë më parë, në qytetin e Gjirokastrës doli në qarkullim një guidë e re e qytetit, botim i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, ku paraqiteshin në mënyrë të detajuar monumentet historike të këtij qyteti. Ndërkaq, të paktën 25 artizanë të punëve me dorë nga rrethe të ndryshme të vendit janë bërë pjesë e edicionit të 3-të të Panairit Kombëtar të Artizanatit Zejtarisë të Trashëgimisë Kulturore, që është hapur në Pazarin karakteristik në Gjirokastër në ditët e Festivalit Folklorik Kombëtar. Panairi është pjesë e programit të "Ditëve të Trashëgimisë Kulturore", ku rreth 25 artizanë nga qytete të ndryshme si Shkodra, Vlora, Saranda, Gjirokastra, Fieri, Elbasani, Tirana etj., do të prezantojnë deri në fund të javës punimet e krijuara prej tyre, kryesisht punime artistike punuar me dorë, kostume popullore artistike me motive dasme nga trevat e Shqipërisë së Mesme. Këto punime dore janë bërë mjaft të kërkuar nga qytetarët dhe të huajt, dhe së fundmi edhe nga emigrantët, të cilët në ditën e kurorëzimit marrin me porosi kostumet popullore. Ndihmesë në rizgjimin e Pazarit kanë dhënë organizatat jofitimpurëse dhe Bashkia e Gjirokastrës, duke stimuluar tregtarët që të çelin aty aktivitete, duke i favorizuar me aplikimin e taksave mjaft të ulëta për këtë zonë. Dhjetëra punime cilësore të prodhuara vite më parë, por dhe ato të dala nga duart e mjeshtërve në vitet e fundit, janë ekspozuar në dyqanet e çelura nga organizata jofitimprurëse në të gjithë zonën historike të Gjirokastrës. Nga mjeshtrit e dikurshëm të qytetit, si argjendarë, drugdhendës e gurgdhendës, kanë mbetur fare pak, por rritja e kërkesës për prodhimet e tyre po shërben si nxitje që kjo kategori mjeshtërish t‘u rikthehet punimeve artizanale. Në bazë të dokumenteve thuhet se Pazari i Gjirokastrës përfundoi së ndërtuari në vitin 1700 dhe vetëm brenda tij kishte mbi 80 dyqane, ndërsa i gjithë qyteti numëronte plot 200 të tillë. Pazari karakteristik pas viteve 2004 është restauruar plotësisht falë politikave që po ndjek organizata botërore kulturore UNESCO, e mbështetur financiarisht nga qeveria shqiptare, me një fond prej 1.2 milionë euro. Qytetit të Gjirokastrës i mbipopulluar shumë dhe nga turistët e ardhur enkas për të parë nga afër Festivalin Folklorik Kombëtar që zhvillohet një herë në 5 vjet, ky panair i shkon bukur dhe për shtat.