E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demonstruesit përplasen me policinë

Takimi i G20-ës në Pitsburg është pritur me protesta nga grupet anti-globaliste dhe anti-kapitaliste. Ata kanë qenë të shumtë në numër dhe janë përballur pjesërisht në mënyrë të dhunshme me forcat e policisë. Dhjetëra vetë janë arrestuar kur protesta ka arritur kulmin. Në fakt, protesta të tilla kanë shoqërua gjithmonë që nga krijimi mbledhjet e radhës së G8-ës, por edhe të ministrave të financave të G20-ës, që është një forum i themeluar që në vitin 1999. Këtë herë në Pitsburg ato kanë zgjatur një pjesë të mirë të natës. Ato janë organizuar nga grupe dhe organizata të ndryshme dhe zakonisht fillojnë në mënyrë paqësore e më pas shndërrohen në grumbullime të dhunshme. Në prill, në takimin e G20-ës në Londër, situata ishte shumë më e vështirë. Në Pitsburg u bënë bashkë mbi 2000 persona që ishin "të armatosur" me shishe, gurë e shkopinj për të përballuar policët e armatosur në rast nevoje. Pati akuza nga ana e demonstruesve se policia ka qëlluar me fishekë gome, por këto thënie janë përgënjeshtruar nga forcat e rendit. "Jemi këtu për t‘u bërë presion liderëve të G20-ës që të heqin dorë nga kapitalizmi, një sistem i kalbur dhe shfrytëzues", ka deklaruar një protestues i ardhur në Pitsburg nga jugu i vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›