Visar Zhiti rrëfehet "Në kohën e britmës"
Shkrimtari Visar Zhiti vjen sërish para lexuesit me një roman të ri, të titulluar "Në kohën e britmës". Botuar nga "OMSCA-1", romani vjen si një afresk tronditës, një rrëfim ku bashkohet enigma me dhembjen, denoncimi i hapur me dashurinë, balta e vuajtjeve me dritat e metropolit, krimi me bukurinë, së cilës duket sikur nuk i mjafton një breg shqiptar, por hidhet dhe në bregun tjetër, atë italian. Koha lëviz vrullshëm në roman nga jeta në vdekje, por edhe e anasjelltas, me personazhe imagjinarë dhe realë, të zakonshëm dhe të shquar, ku dialogu ia lë vendin përsiatjes, që lë jehonë të thellë te lexuesi, duke përçuar emocione të forta dhe vlera të vërteta artistike. Romani "Në kohën e britmës" pasqyron një pjesë nga ikjet më të fundit. Njerëzit largoheshin nga dhuna dhe varfëria, në kërkim të një jete më të mirë, duke dalë shpesh dhe nga vetja, dhe kjo duket se e intereson më shumë autorin, ikja nga vetvetja, pjesë të së cilës i rigjejnë apo i humbin përgjithmonë, ndeshen me krimin dhe të keqen, u bëjnë ballë atyre, mposhten dhe mposhtin. Autori duket sikur nuk pret që realiteti t‘i zgjidhë problemet e veta, e llava e ngjarjeve të ftohet, por ai ndërfutet në vorbullat e këtij realiteti. Është në grykë të kraterit, madje dhe paraprin, duke marrë përsipër përgjegjësi dhe mision, gjithmonë si një shkrimtar, i cili dhe vetë kështu sikur bëhet ngjarje, e jo vetëm estetike, por sikur do të na thotë se shpresat janë më të mëdha se zhgënjimet dhe bukuria. Sipas një sentence të njohur pritet të triumfojë duke na bërë të gjithëve më të mirë. Visar Zhiti është autor i shumë librave me poezi dhe në prozë, tregime, romane, ese, të botuara jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e kudo ku ka shqiptarë. Librat e tij janë përkthyer në mjaft gjuhë të botës. Krijimtaria e Zhitit është e përfshirë në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe dhe në shumë antologji botërore. Është vlerësuar nga lexuesi dhe kritika shqiptare dhe e huaj si në Itali, Angli, SHBA, Francë, Austri e së fundmi në Rumani, me rastin e daljes së romanit të tij "Funerali i pafundmë". Ka marrë çmime të rëndësishme letrare në Shqipëri dhe jashtë saj.