Ahmet Prençi,Shqipëria, jo më vend tranzit i lëndëve narkotike
Gjatë këtij viti janë sekuestruar 3.9 kg kokainë dhe 70.7 kg heroinë. Këto statistika tregojnë se ka rënë ndjeshëm trafikimi i drogave të forta, në sajë të rritjes së forcës goditëse dhe përdorimit të teknikave speciale të hetimit
Policia e Shtetit ka arritur që të minimizojë pozicionin e Shqipërisë si urë kalimi për trafikimin e lëndëve narkotike drejt vendeve të Evropës Perëndimore gjatë vitit 2008. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të këtij institucioni, Ahmet Prençi, trafikimi i drogave të forta ka rënë ndjeshëm në sajë të rritjes së forcës goditëse dhe përdorimit të teknikave speciale të hetimit. Deklarata e tij u bë gjatë analizës vjetore, e cila u mbajt nën moton “Tolerancë zero ndaj krimit”.
Gjatë këtij viti janë sekuestruar 3.9 kg kokainë dhe 70.7 kg heroinë. Këto statistika tregojnë se ka rënë ndjeshëm trafikimi i drogave të forta, në sajë të rritjes së forcës goditëse dhe përdorimit të teknikave speciale të hetimit. Shqipëria është tashmë absolutisht e pasigurt për tranzitimin e drogave të forta. Sipas Prençit, luftën që po bën policia shqiptare ndaj trafikut të drogës e tregojnë edhe statistikat e policisë italiane, sipas të cilave, është sekuestruar 4 kg marijuanë dhe vetëm 10 kg heroinë, ose 17 herë më pak se viti 2007. “Sipas vlerësimeve tona, ulja e sasisë së drogës së sekuestruar nga autoritetet italiane tregon për një reduktim të ndjeshëm të trafikimit të drogave që tranzitohen nëpërmjet Shqipërisë për në Itali dhe në Bashkimin Evropian”, - deklaroi ai.
Prençi gjatë fjalës së tij u shpreh se gjatë këtij viti është 10-fishuar lufta ndaj korrupsionit, ka një minimum historik të vrasjeve dhe është ulur ndjeshëm numri i aksidenteve rrugore.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit theksoi gjatë fjalës së tij se “përpjekjet dhe sakrificat tona edhe gjatë këtij viti kanë ndjekur pikë për pikë hartën e prioriteteve të qeverisë, jo vetëm si problematika kombëtare, por edhe si detyrime ndërkombëtare të marra ndaj partnerëve, duke qenë të ndërgjegjshëm se i kontribuojmë jo thjesht ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend, por edhe procesit të integrimit të Shqipërisë në strukturat euro-atlantike”.
Drejtuesi i Policisë së Shtetit përmendi disa nga arritjet e policisë për këtë vit. “Gjatë vitit 2008 janë kryer 152 operacione policore me 568 të arrestuar, ose 21 operacione me 65 autorë më shumë se viti 2007. Nga këto 43 operacione kundër krimeve të rënda, me 101 të arrestuar, 40 operacione anti-korrupsion dhe krim ekonomiko-financiar, me 198 të arrestuar, 40 operacione anti-drogë me 172 të arrestuar, 29 operacione anti-trafik me 97 të arrestuar”, - u shpreh ai.
Në lidhje me vrasjet, Prençi pohoi se viti 2008 është minimumi historik i 18 viteve të fundit, pasi kanë ndodhur 85 vrasje, duke qenë 18 vrasje më pak se në vitin 2007 dhe 46 vrasje më pak se në vitin 2005. Për sa u përket zbardhjeve të ngjarjeve të vjetra, kanë rifilluar hetimet për të zbuluar autorët për 215 krime të vjetra në evidencë, prej të cilave 81 për krimin e vrasjes, për 39 prej tyre ka përfunduar dokumentimi. Një punë shumë e mirë është bërë në luftën ndaj narkotikëve. Ndërkohë, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit vihet re një rritje e ndjeshme e forcës goditëse. Gjatë vitit 2008 janë evidentuar 344 vepra me 619 autorë, nga të cilat 68 vepra janë për korrupsion dhe 276 për vepra të kryera nga punonjësit shtetërorë/publikë.
Po këtë vit janë evidentuar 68 raste me 153 zyrtarë, prej të cilëve 72 të arrestuar. Krahasuar me vitin 2007, është 5-fishuar forca goditëse dhe krahasuar me vitin 2005, është 10-fishuar forca goditëse.