E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha ,më tepër vëmendje ndaj krimit ekonomik



Numri një i ekzekutivit vlerësoi punën e Policisë së Shtetit në luftën me zero tolerancë ndaj krimit dhe kërkoi gjithashtu respektimin e të drejtave të njeriut

Kryeministri Sali Berisha vlerësoi arritjet e Policisë së Shtetit gjatë vitit 2008, ndërsa kërkoi një vëmendje akoma më të madhe për sa i përket luftës kundër krimit ekonomik, kultivimit të lëndëve narkotike dhe respektimit të të drejtave të njeriut në vazhdim. Në këtë luftë, - tha Kryeministri, - është i domosdoshëm një bashkërendim i ngushtë i veprimtarisë me të gjithë faktorët.

Numri një i ekzekutivit u shpreh se rezultatet e punës së Policisë së Shtetit në luftën me zero tolerancë ndaj krimit, japin të gjitha mundësitë për të shprehur vlerësimin e qeverisë për punën e suksesshme që kjo polici ka bërë gjatë vitit 2008. “Me përkushtimin, me trimërinë, profesionalizimin tuaj, ju e keni bërë Shqipërinë dhe jetën e qytetarëve shqiptarë më të sigurt, pronën e tyre më të sigurt dhe keni vendosur një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë. Ju keni konsoliduar dhe merituar plotësisht besimin e tyre”, - u shpreh ai.

Kryeministri shprehu besimin se viti i ardhshëm do të jetë viti i arritjeve akoma më të mëdha, ndërsa theksoi se Policia e Shtetit ia doli që Shqipëria, në treguesit e mëdhenj të kriminalitetit, të jetë nën mesataren e Bashkimit Evropian.

Gjithashtu, Berisha vuri në dukje edhe një aspekt shumë të rëndësishëm të punës së Policisë së Shtetit, që lidhet me procesin zgjedhor. “Ky është një vit zgjedhjesh dhe ju keni dy detyra të mëdha: detyra e parë është të forconi disiplinën dhe vendosmërinë dhe të mos lejoni që krimi të krijojë ndonjë iluzion dhe të mendojë se strukturat e shtetit tashmë po merren me zgjedhjet. Ju keni si detyrë ruajtjen e rendit, qetësisë, luftën kundër kriminalitetit”, - u shpreh Kryeministri.

Nga ana tjetër, Kryeministri vlerësoi traditën e krijuar tashmë nga forcat e policisë për qëndrimin profesional dhe korrekt në proceset zgjedhore, duke shprehur besimin se edhe në zgjedhjet e vitit 2009, forcat e policisë do të marrin të gjitha masat që ta përmbushin detyrën e tyre me nder, për sa i përket transportit të materialeve zgjedhore dhe qëndrimit të saj të përgjegjshëm gjatë procesit zgjedhor.

Lufta ndaj krimit ekonomik

Kryeministri Berisha i ka kërkuar Policisë së Shtetit, që të përqendrohet në luftën ndaj krimit ekonomik. “Ju ftoj të përqendroheni në luftën kundër krimit ekonomik, si drejtim kryesor i juaji. Në këtë luftë është e domosdoshme një bashkërendim i ngushtë i veprimtarisë suaj me të gjithë faktorët. Ju keni një bashkëpunim shumë të mirë me Shërbimin Informativ”. Ndërkohë që Berisha shtoi se një gjë e tillë duhet që të ndodhë edhe me doganat, tatimet, ku sipas tij, ky bashkëpunim nuk është në lartësinë e duhur. Kreu i qeverisë kërkoi që të ketë më shumë vëmendje në pastrimin e parave.

“Ky fenomen i ka të dyja aspektet, ka anën e padukshme të tij, por ka edhe anën e tij të dukshme, më shumë se çdo fenomen tjetër. Ne kemi autoritetin shtetëror të luftës kundër pastrimit të parave. Ai ka një rol shumë të rëndësishëm, por absolutisht policia ka një rol më të rëndësishëm se kushdo tjetër, e cila me ligjin anti-mafie ka pjesën e dukshme”, - tha Berisha, duke shtuar se “le t’u referohemi shembujve; me se ndërtohen pallatet? Shumica e tyre dërrmuese ndërtohen me paratë e pastra, të fituara ndershmërisht. Por ligji lejon që ju të kërkoni verifikim për çdo rast dhe në rast se nuk e bëni këtë, atëherë është policia ajo që bëhet parapastruese. Në rast se ju e bëni këtë detyrë dhe e dërgoni rastin në prokurori dhe prokuroria tregohet indiferente, parapastruese bëhet prokuroria dhe shteti. Ne duhet të qëndrojmë fuqishëm në këtë aspekt”.

Vëmendja ndaj sektorit privat

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri kërkoi më tepër vëmendje ndaj sektorit privat në vend. Ai rikujtoi “piramidat”, për të cilat shtoi se ndodhën për shkak të indiferencës. “Çfarë ishin piramidat? Qeveria, në mënyrë absolute nuk i inkurajoi ato, por ajo u tregua indiferente. Çfarë janë piramidat e sotme në botë? Janë indiferencë ndaj sektorit privat. Ne nuk mund të jemi kurrë indiferentë ndaj veprimtarive të ndryshme. Ky është një mësim që duhet nxjerrë, që duhet mbajtur shënim. Ky duhet të jetë drejtimi kryesor i punës suaj”, - u shpreh Berisha.

Lufta kundër drogës

Në luftën ndaj drogës, Kryeministri vlerësoi rezultatet e arritura, por kërkoi më shumë njerëz të vënë përpara drejtësisë. “Do të flisja për zero tolerancë, nëse policia do të kishte dërguar për ndjekje penale kryetarët e komunave dhe zyrtarët vendorë, në territoret e të cilëve mbillet kanabis. Unë nuk mund të pranoj qëndrimin e autoriteteve policore të Gjirokastrës, të cilat 4 muaj rresht nisin betejën me Lazaratin, ndërsa ata që mbjellin drogën, 8 muaj rresht qarkullojnë të lirë në Gjirokastër e në të gjithë Shqipërinë”, - u shpreh ai.

Respektimi i të drejtave të njeriut

Një nga kërkesat e tjera më të rëndësishme ishte edhe ajo e respektimit të të drejtave të njeriut. “Problem është se një pjesë e qytetarëve tanë bien në qendrat e paraburgimit, në burgjet tona, ku standardet janë të papranueshme. Ne po bëjmë çdo gjë për t’i ndryshuar ato, për t’i bërë më njerëzore. Por në këtë drejtim ju keni një rol shumë të rëndësishëm. Asnjëherë nuk duhet t’i lejojmë vetes të shkelmojmë dinjitetin e tjetrit. Asgjë nuk duhet t’ju shtyjë ju drejt kësaj, edhe në qoftë se ai individ ka shkelmuar mbi dinjitetin e tij, ju nuk duhet ta bëni atë”, -u shpreh Berisha.

Bashkëpunimi ndërkombëtar

Për Berishën, bashkëpunimi ndërkombëtar ka një rëndësi të jashtëzakonshëm. “Krimi është me më shumë karakter ndërkombëtar se të gjitha aspektet e tjera. Pa këtë bashkëpunim, ai nuk mund të luftohet, ndaj duhet ta konsolidojmë atë me luajalitet të plotë ndaj partnerëve, të cilët kanë dhënë dhe po na japin një ndihmë të pazëvendësueshme në luftën kundër tij”, - u shpreh numri një i qeverisë gjatë fjalës së mbajtur.

Viti 2009

Për vitin e ardhshëm, dy aspekte do të jenë me rëndësi sipas Berishës. “Ky është një vit zgjedhjesh dhe ju keni dy detyra të mëdha: detyra e parë është të forconi disiplinën dhe vendosmërinë dhe të mos lejoni që krimi të krijojë ndonjë iluzion dhe të mendojë se strukturat e shtetit tashmë po merren me zgjedhjet. Ju keni si detyrë ruajtjen e rendit, qetësisë, luftën kundër kriminalitetit që është detyrë për të gjitha institucionet”, - deklaroi ai, duke shtuar se “ju jeni pjesë e procesit zgjedhor në transportin e materialeve të votimit. Keni krijuar tashmë një traditë, për të cilën ne jemi krenarë, por edhe ju duhet të ndiheni të tillë, që në dy-tre procese zgjedhore nuk ka pasur subjekt politik, që të paraqesë as ankesën më të vogël ndaj këtij procesi shumë delikat dhe shumë të rëndësishëm. Ju do të merrni të gjitha masat që ta përmbushni këtë detyrë me nder”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›