E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masa për të qenë gati në rast tërmetesh

29/10/2009  Emergjencat civile takim në Shkodër, të pranishëm dhe italianë. Rrezik, ndërtimet e reja dhe të vjetra

SHKODER- Marrja e masave paraprake dhe ndërtimi i strukturave përkatëse për menaxhimin e situatave në raste tërmetesh ka qenë tema e një takimi të gjerë dhe të rëndësishëm të organizuar sot në Shkodër. Takimi i organizuar nga Drejtoria e përgjithshme e Emergjencave Civile të Shqipërisë në bashkëpunim me prefekturën e qarkut të Shkodrës kishte marrë shtysën nga fatkeqësitë apo dëmet e shkaktuara nga tërmetet ndër vite, si dhe nga pamundësia e parashikimit të tyre apo edhe e fatkeqësive të tjera natyrore.

Tërmetet

Tryeza e rrumbullakët kishte si protagonistë jo vetëm drejtuesit e institucionit të prefektit, por dhe specialistë të Emergjencave Civile të vendit tonë, të kryesuar nga drejtori Afred Olli, specialistë të Departamentit të Mbrojtjes dhe të Emergjencave Civile të Italisë, si dhe specialistë të sizmologjisë dhe ndërtimeve. Të gjithë të pranishmit ishin të mendimit se detyra kryesore e strukturave përkatëse në rast tërmetesh, apo fatkeqësish të tjera natyrore është menaxhimi i situatave që mund të krijohen, çka do të sillte reduktimin maksimal të pasojave si në njerëz, ashtu dhe në objekte të ndryshme. Drejtuesit e Emergjencave Civile të Italisë sollën për të pranishmit eksperiencën e tyre në drejtim të funksionimit të strukturave të emergjencave civile, të fituar sidomos gjatë menaxhimit të situatës së krijuar në provincën e Aquilla-s gjatë tërmetit të pranverës së kaluar. Sipas specialistëve italianë, menaxhimi i mirë i situatës arrihet atëherë, kur pranë njësive vendore funksionojnë struktura të specializuara dhe vazhdimisht të trajnuara në raste fatkeqësish natyrore. Në të njëjtën linjë me specialistin italian Giovanni Di Siervoi, përfaqësues i departamentit të Mbrojtjes Civile në Itali ishte dhe Alfred Olli, drejtor i përgjithshëm i Emergjencave Civile në vendin tonë.

Masat dhe rreziqet

Olli bëri të ditur se shumë shpejt Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile do të hartojë vendosjen e grupeve të specializuara për menaxhimin e emergjencave civile pranë njësive vendore, që është dhe pjesë e një projekti të BB, projekt ky me një vlerë prej 6 milionë eurosh, ku do të përfshihen dhe kapacitetet logjistike. Nga ana e tyre specialistët e fushës së ndërtimit kanë ngritur si shqetësim serioz rreziqet që paraqesin ndërhyrjet pa kriter në ndërtime, kryesisht pallate dhe sidomos ato të vjetra. Pedagogu i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë prof. Niko Pojani theksoi se një pjesë e popullsisë rrezikohet nga ndërhyrjet e paligjshme për modifikimin e ndërtimeve të vjetra, shtesat në kate të kryera nga jo specialistët, si dhe ndërtimet në zona ku nuk lejohet ndërtimi. Pikërisht në këto ndërtime rrezikshmëria e shembjeve është tepër e lartë në rast tërmetesh, ndërkohë që ato rrezikohen dhe gjatë qëndrimit të tyre statik, pas pasur nevojë të përballen me lëkundjet sizmike. Për të eliminuar këtë rrezik, vijoi prof. Pojani, duhet që projektuesit i referohen dhe të zbatojnë eurokodin, për antisizmikën.

Për specialistët e ndërtimit, këto lloj problemesh janë të shtrira në të gjithë qytetin e Shkodrës, pasi thuajse të gjitha pallatet e vjetra kanë pësuar ndërhyrje, kryesisht për kthimin e kateve të para në dyqane, apo shërbime të tjera. Ndërkohë, shqetësim paraqiti dhe ngritja e pallateve shumëkatëshe në zonën pranë liqenit të Shkodrës, mjaft e lëkundshme në raste tërmetesh.

Miqtë nga Italia shprehën gatishmërinë e tyre për të ndihmuar vendin tonë në raste emergjencash civile si dhe të ofrojnë eksperiencat e tyre për sa i përket menaxhimit të situatave në raste fatkeqësish natyrore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›