Masa për tregëtimin e mishit, bashkia e Tiranës ngre task-forcën

Paralelisht me task-forcën e Qeverisë edhe Bashkia e Tiranës ka ngritur sot task-forcën e saj kundër therjes dhe tregëtimit të mishit në rrugë, jashtë standardeve dhe kushteve higjeno-sanitare.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Petrit Vasili, në një prononcim për mediat deklaroi se gjatë verifimit të situates në terren janë evidentuar 74 subjekte të cilat operojnë në mënyrë abuzive në treg.
Vasili paralajmëroi se aksioni i task-forcës së Bashkisë do të fillojë nga dita e sotme dhe pritet të përmbyllet në fund të javës, ndërsa përqendrimi nuk do të jetë vetëm në qendër por edhe në periferi të kryeqytetit për pezullim të këtyre aktiviteteve.
Ndërkaq Nënkryetari i Bashkisë ka lënë dhe një derë të hapur ndaj këtyre subjekteve, të cilat mund t`i shmangen kësaj mase nëse aplikojnë për regjistrimin e tyre dhe ushtrimin e aktivitetit konform ligjit, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të mos blejnë dhe konsumojnë mish, i cili nuk mban vulën e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit.