Kristo Frashëri, Mevlan Çelebiu dhe Oscar ShindlerNga Everest Haxhi Kur fantazma e mjerë e Mbretit të Danimarkës i shfaqet Hamletit duke i kërkuar shpagim për veprën e përbindshme që kishte kryer vëllai i tij për t’i zënë fronin mbretëror, i tregon
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Kristo Frashëri, Mevlan Çelebiu dhe Oscar ShindlerNga Everest HaxhiKur fantazma e mjerë e Mbretit të Danimarkës i shfaqet Hamletit duke i kërkuar shpagim për veprën e përbindshme që kishte kryer vëllai i tij për t’i zënë fronin mbretëror, i tregon gjithashtu të birit se vuajtjen më të madhe ia shkaktonte fakti që e kishin çuar te Krijuesi të papërgatitur, të mbuluar nga imperfeksioni dhe, ç’është më e keqja, pa pasur kohë të pendohej. I referohem Shekspirit, të bëj analogji me realitetin shqiptar, ku njerëz pa moral profesional dhe të indoktrinuar deri në qelizë, me besimin e marrë se do t’u kundërvihen ligjeve të natyrës, refuzojnë të pranojnë çdo shans që u jepet për t’u penduar dhe për të bërë një analizë objektive se çfarë kanë prodhuar gjatë jetës së tyre.
U mundova disa herë t’ia mbush mendjen vetes për ta lënë në harresë polemikën midis inxhinier Mërgim Korçës dhe z. Kristo Frashëri. Përpiqesha të gjeja arsye edhe për faktin që, sa më shumë lexon, sidomos përgjigjen që z. Frashëri i ka kthyer inxhinier Korçës, aq më tepër kuptohet që shpirtrat e brumosur së prapthi e kanë të vështirë të pranojnë se jeta e tyre nuk ka prodhuar veçse falsitete.
E njoh shumë pak z. Korça dhe nuk më kishin rënë në dorë botimet e tij për të vlerësuar ndihmesën e tij në fushën e historisë. Dija nga im atë që ka qenë një njeri i nderuar, një inxhinier shumë i aftë dhe novator, si dhe që rrjedh prej një familjeje patriote intelektuale. Kërshëria më shtyu të gjej librat e tij dhe t’i lexoj me vëmendje. Nga mënyra e të shkruarit kuptova shumë më tepër se kush është Mërgim Korça. Kuptova fisnikërinë dhe elegancën e shkrimit të tij dhe njëkohësisht qetësinë dhe vetëpërmbajtjen që ai ka treguar ndaj fyerjeve të z. Frashëri. Këto fyerje dhe mënyra e të paraqiturit në letërkëmbim tregon mungesë etike profesionale e pasuar nga mangësi të theksuara profesionale në fushën ku z. Frashëri e mban veten për ekspert. Për t’u bërë një analizë fakteve të sjella duhet më tepër se të thërrasësh për jo vërtetësi të tyre duke sulmuar faktesjellësin se nuk është historian. Që inxhinier Korça nuk është historian nuk ka nevojë të komentohet apo të përdoret si argument për të zhvlerësuar punën e tij në këtë fushë, madje unë e përgëzoj që ka gjetur forcën për të bërë publike vuajtjet si pjesë e pandarë e familjes së tij dhe e të gjitha familjeve shqiptare që pranuan jo të heshtin duke kyçur gojën përpara mizorive të pashkruara nga historianet. E përgëzoj gjithashtu z. Korça për këtë ndërmarrje, të cilën e konsideroj të guximshme dhe që e ngarkon inxhinierin me përgjegjësinë e marrjes përsipër të paraqitjes së drejtë dhe vërtetësisë së fakteve pa bërë zbutje apo përshtatje që mund t’i bëjë një historian servil për të kënaqur shijet politike të kohës.
Të jesh historian është shumë e vështirë, pasi e vërteta është vetëm një dhe duhet të analizohet me objektivitetin e duhur dhe të paraqitet pa pasur frikë se kush cenohet prej saj. Kjo më sjell në mendje një fragment nga romani i një mikut të profesor Frashërit që besoj e ka lexuar, pasi ka gjetur veten e tij të mishëruar në njërin prej personazheve të librit. Bëhet fjalë për romanin “Kështjella” të Ismail Kadaresë, ku historiani i Portës së Lartë, Mevlan Çelebiu, mësoi që e kishin caktuar të pasqyronte me “realizëm” fitoret e lavdishme që ushtritë e padishahut do të korrnin në Krujë. Tursun Pashai e kishte zgjedhur si beniaminin e vet dhe i kishte dhënë udhëzime të qarta se si duheshin pasqyruar faktet, betejat dhe fitoret. Ismail Kadare fillon e zvogëlon aq shumë figurën e këtij historiani të mjerë, saqë, në momentin kur ai nuk kishte kurajë të tregonte se si ushtarët e thjeshtë masakroheshin me mijëra, përpiqet t’i thërrasë ndërgjegjes së vet, por pa sukses, pasi ajo e kishte braktisur me kohë. Kështu ka qenë edhe fati i Mevlan Çelebijve shqiptarë me zotin Frashëri në krye, të braktisur nga ndërgjegjja dhe nga morali profesional e që, pa u përpjekur që të kërkojnë pendim dhe falje, vazhdojnë të shkruajnë se si kaluan “nga fitorja në fitore”.
Përpara syve në tavolinën ku po shkruaj kam disa tekste shkollore, tekste mësimore te Ministrisë së Arsimit të Xhevat Korçës, “Te Praku i Jetës,” “Rreze Drite” dhe “Shkrimtarë Shqiptarë”. Duke shfletuar këto libra me vjen keq që nuk kam pasur mundësi të kem qenë i ballafaquar ndaj tyre, ashtu si dhe gjithë brezi, të cilit unë i përkas. Ne u rritëm me tekstet e profesor Kristo Frashërit, ku mësonim bëmat e “kaubojit” Hoxha, antishqiptarëve Dushan Mugosha e Miladin Popoviçi, dhe nuk mësuam për atë plejadë shkrimtarësh, intelektualësh e patriotësh shqiptarë që “Mevlan Çelebijtë” e PPSH i bënë ata tradhtarë dhe kolaboracionistë. Ne nuk mësuam për ata që do t’ia shisnin shpirtin edhe djallit për të mirën e Shqipërisë, por mësuam për ata që ia falën shpirtin djallit vetëm për t’u bërë shërbyes te tij.
E keqja më e madhe është se këta pseudoshkencëtarë me tituj e dekorata vazhdojnë të besojnë në kontributet e paarritshme të tyre dhe se kombi duhet t’u jetë mirënjohës që kanë indoktrinuar breza të tërë me pallavra e dogma komuniste antishqiptare. Populli ynë ka një fjalë shumë kuptimplote që mendoj se duhet t’i përshtatet një shpirti të tunduar, “Më mirë vonë se kurrë”, por, me sa duket, “komunistët nuk dorëzohen.” Ateizmi i tyre i bën të besojnë se do të jetojnë përjetë dhe se pendimi nuk ka vend në qenien e tyre jonjerëzore.
Në një interviste me Blendi Fevziun, Kristo Frashëri tregon hapur një nga cilësitë më të vyera të tij dhe të shokëve të tij, mosmirënjohjen. Nëse dikush të bën një nder të madh, është në natyrën e popullit tonë, ti mbetesh borxhli për gjithë jetën dhe nëse vjen puna që njeriu që ta ka bërë nderin kryqëzohet për t’u qëlluar me gurë në sheshin e qytetit, ti duhet të jesh nga ata që, nëse nuk ke mundësi ta mbrosh, të paktën të mos hedhësh gurë mbi të. Kur flitet për figurën e Mustafa Krujës, gjatë intervistës, profesor Frashëri, me një ngërdheshje tipike mosmirënjohësi, thotë: “Spiun i fashizmit ishte, ndonëse mua më ka bërë nder, se më ka nxjerrë nga burgu!”
Dhe unë pyes: A keni arritur ndonjëherë ju, z. Frashëri, të mendoni pse jua bëri këtë nder Mustafa Kruja? A keni marrë ndonjëherë mundimin të vlerësoni përpjekjet e tij në nxjerrjen nga burgu fashist të gjithë rinisë shqiptare pa analizuar se sa i suksesshëm ishte? A e keni vlerësuar ndonjëherë humanizmin e tij në shpëtimin e qindra familjeve hebreje, kur dha urdhër t’i pajisnin me pasaporta shqiptare dhe t’i shoqëronin drejt vendeve të sigurta për ta?
Një humanist si Mustafa Kruja nuk mund të ishte antishqiptar dhe kolaboracionist, siç trumbetoni ju. Nuk mund të quhet kolaboracionist Oscar Shindler, i cili, pavarësisht të qenit anëtar i Partisë Naziste, nuk humbi respektin për jetën dhe nuk ia fali shpirtin djallit, por, duke dalë kundër vijës politike të partisë së vet, u ngrit në nivelet më të larta të njerëzimit duke shpëtuar me mijëra hebrenj me listën e tij të jetës.
Çfarë kontrasti! Oscar Shindler si engjëll i jetës dhe Mevlan Çelebijtë që pushkatuan prindërit, vëllezërit dhe të afërmit vetëm që parimet e mbrapshta dhe çnjerëzore të mos i shkelnin. Çfarë paradoksi!