E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzat e Beogradit, të pavërtetaNga BBCMinistrja kosovare e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, deklaroi në një intervistë për BBC, se nisja e hetimeve nga Këshilli i Evropës lidhur me pretendimet serbe për trafikim organesh të civilëve serbë nga kryengritë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Akuzat e Beogradit, të pavërtetaNga BBC

Ministrja kosovare e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, deklaroi në një intervistë për BBC, se nisja e hetimeve nga Këshilli i Evropës lidhur me pretendimet serbe për trafikim organesh të civilëve serbë nga kryengritësit shqiptarë gjatë luftës, ka prapavijë politike.

Ministrja Kelmendi tha se hetimet e Gjykatës së Hagës kanë dëshmuar se akuzat e ngritura nga Beogradi janë të pavërteta.

Ajo përjashtoi mundësinë që pjesëtarët e ish-UÇK të jenë marrë me trafikim organesh të serbëve.

Reagimi i ministres së Drejtësisë vjen në kohën kur i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Marty, po viziton rajonin në kuadër të hetimeve për akuzat e ngritura nga Beogradi dhe të publikuara në librin e ish-kryeprokurores së Hagës, Karla del Ponte.

Ministrja Kelmendi tha se nisja e hetimeve nga Këshilli i Evropës për krime lufte në Kosovë përbën precedent në praktikat e kësaj organizate

Zonja ministre, si e vlerësoni fillimin e hapjes së hetimeve nga Këshilli i Evropës lidhur me krimet që supozohet të jenë kryer nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj civilëve serbë?

Kjo çështje është hetuar disa herë nga Gjykata për Krime Lufte në ish-Jugosllavi i themeluar në Hagë dhe nuk ka rezultuar që luftëtarët e UÇK të kenë marrë ndonjë veprim në drejtim të hetimit që tani është duke u bërë nga Këshilli i Evropës. Nga ana tjetër, Këshilli i Evropës është i përbërë nga 46 shtete, që të gjitha ato janë anëtare të OKB. Gjykata e Hagës është themeluar me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, andaj është shumë e çuditshme se si as Gjykatës së Hagës nuk i besohet për përfundimin e hetimeve dhe për mosgjetjen e asnjë prove, qoftë edhe të një prove të vetme, përkitazi me krimet për të cilat po dyshohet tash dhe po tentohen të mblidhen fakte.

Thjesht këtu shihet qartazi se është ndikimi i Serbisë, sepse edhe Serbia është anëtare e Këshillit të Evropës dhe e shfrytëzon pozitën e vet e të qenit anëtare aty, ka gjetur një grup për të lobuar që të lëvizë kjo çështje dhe ajo ka filluar. Përndryshe, unë nuk e di që Këshilli i Evropës merret me hetime, por, pasi Këshilli i Evropës po u marrka edhe me hetimin e krimeve të luftës, atëherë unë botërisht dhe haptas i drejtohem me kërkesë Këshillit të Evropës që t’i gjurmojë të gjitha rastet e krimeve të luftës, të cilat nuk janë në asnjë nga aktakuzat e ngritura për krimet e bëra nga ish-zyrtarët e Serbisë, prej të cilëve vetëm pesë apo gjashtë janë gjykuar në Tribunalin e Hagës, kurse viktima ka pasur shumë në Kosovë.

Do të ishte shumë i paanshëm Këshilli i Evropës, pasi meqë ka vendosur të merret edhe me hetime të kësaj natyre, atëherë ta hetojë çështjen në mënyrë të paanshme dhe në mënyrë të plotë për të dyja palët.

Zonja ministre, emisari i Këshillit të Evropës, Dick Marty, ka qëndruar në Beograd dhe më pas në Tiranë. Po nga ana juaj, a ju ka kërkuar Këshilli i Evropës bashkëpunim për zhvillimin e këtyre hetimeve?

As që kemi qenë zyrtarisht të informuar si Ministri e Drejtësisë, as si prokurori e Kosovës, as si gjykatë dhe as si qeveri. E tëra ajo që kemi mësuar, është ajo që kemi lexuar në media dhe unë kam dhënë një shkrim autorial, një opinion timin lidhur me këtë hetim që po bëhet. Faktmbledhjet që pretendohet të bëhen, le të bëhen, por nuk do të dalë asgjë, sepse ne kemi prova se Serbia me të gjitha format po mundohet të krijojë rast prej hiçit. Ne kemi tre persona të burgosur (nën dyshimin se u kishin ofruar sasi të mëdha parash njerëzve për të dhënë dëshmi jo të vërteta se kishin qenë viktima të trafikimit me organe të serbëve gjatë luftës në Kosovë).

Dhe si do ta vërtetoni këtë që thoni?

Kjo do të vërtetohet në bazë të gjykimit të këtyre personave, pa dashur që të paragjykoj se këta janë fajtorë, por megjithatë vet fakti që ata mbahen në paraburgim bën që të përfundosh se ekziston një dyshim i bazuar se ata janë të involvuar në montimin e provave dhe për montimin e provave Serbia është gjithmonë lojtare e mirë.

Pra, zonja ministre, ju e hidhni poshtë mundësinë që të jenë kryer krime lufte nga pjesëtarët e UÇK ndaj civilëve serbë, siç pretendohet në librin e Karla del Pontes?

Me marrjen e organeve gjithsesi e hedh poshtë. Nëse kanë bërë ndonjë krim të ndonjë natyre tjetër, le të hetohen, por le të hetohen edhe veprat e tjera, por lidhur me marrjen e organeve dhe trafikimin e tyre, as logjika e thjeshtë dhe e shëndoshë nuk mund të besojë që diçka e tillë mund të ketë ndodhur, sepse për t’i bartur ato organe duhet të ketë shumë mjekë të specializuar, të kenë instrumente shumë të specializuara dhe është dashur të kalohen disa kufij, jo vetëm kufiri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, por edhe kufi tjetër për t’i trafikuar ato organe, sepse këtu pretendohet se ato janë trafikuar në vendet e treta.

Nëse vërtetohet se pretendimet e Karla del Pontes kanë qenë të rrejshme, çfarë hapi do të ndërmarrë Ministria e Drejtësisë? A e keni shqyrtuar mundësinë e ngritjes së padisë ndaj ish-kryeprokurores së Hagës, siç kërkojnë disa organizata të të drejtave të njeriut?

Nëse udhëheqësit e Kosovës, e kam fjalën për presidentin dhe kryeministrin, marrin vendim politik, Ministria e Drejtësisë është e gatshme ta bëjë këtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›