Takimi Berisha- Nemeth
Kryeministri, Sali Berisha ka pritur në një takim të veçantë Sekretarin e Shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Hungarisë zotin Zsolt Nemeth. Gjatë takimit, kreu i qeverisë shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë jo vetëm në themelimin dhe konsolidimin e pavarsisë së Shqipërisë por dhe në demokratizimin dhe proceset integruese euroatlantike. Kryeministri e njohu zotin Nemeth me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, duke theksuar se mazhoranca ka propozuar kandidaturë me cilësi shumë të larta për arritjen e konsensusit dhe siguroi se procesi do të vazhdojë drejt përmbushjes së qëllimit kushtetues në përputhje të plotë me frymën dhe gërmën e Kushtetutës.
Nga ana e tij Sekretari i Shtetit Nemeth pasi vlerësoi ndryshimet në Shqipëri, nënvizoi rolin transformues demokratik që forcat politike të udhëhequra nga kryeministri Berisha dhe kryeministri Orban, kanë luajtur në të dy vendet pas rënies së diktaturave komuniste. Zoti Nemeth siguroi se Hungaria është mbështetëse e palëkundur e integrimit të vendeve të Ballkanit Perendimor në BE dhe se Shqipëria do të ketë gjithmonë mbështetjen e saj në këtë drejtim.