Pastrimi i parave sekuestrim ne Shkoder

Drejtoria e Antikrimit financiar ka zbuluar një formë të pastrimit të parave që vinin nga trafiku ndërkombëtar i drogës.
Ka qenë një hetim i drejtorisë së antikrimit financiar dhe Task Forcë të Prokurorisë, i cili është konkluduar në datat 29 dhe 30 maj kur janë sekuestruar masat e sekuestros preventive për pronat përkatëse.
13 apartamente banimi dhe një garazh me sipërfaqe 900 metra katrorë dhe vlerë 700 mijë janë zbuluar se i përkisnin, Altin Ndërlitës, i arrestuar për trafik droge në Gjermani dhe ishin hedhur në emër të nënës së tij Pashke Podgorica dhe tezes Roza Serreqi.
Procedimi kishte nisur në vitin 2011 për Ndërlitën me akuzën e “të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ndërlita ishte arrestuar në Gjermani për veprën penale të shkeljes të ligjit mbi lëndët narkotike, në vitin 2009.
Sekuestrimi i apartamenteve me vlerë 700 mijë euro vjen një ditë pas raportimit të Ministrit të Brendshëm Bujar Nishani në Komisionin e Integrimit Europian.
Sipas raportit si një pjesë e rëndësishme e rekomandimit numër 9 të 12 rekomandime të Kmonisionit Europian, gjatë 4-mujorit janë realizuar 2 konfiskime me vlerë 10 milionë lekë të reja, 2 sekuestrime me vlerë 100 mijë euro, 30 mijë USD dhe 7 milionë lekë duke shënuar një rritje me 24 përqind më shumë në krahasim me vitin e kaluar.