Masakër në SHBA, emigranti vret 13 persona, merr peng 41 të tjerë
Ngjarja ndodhi në një qendër të mbledhjes së emigrantëve të huaj
Autori, me origjinë aziatike, kishte pak kohë që kishte ardhur
Një emigrant aziatik ka vrarë me armë 13 persona, ndërsa ka marrë peng 41 të tjerë në qytetin e Binghamtonit, afër Nju Jorkut. Sipas policisë, autori i krimit është futur në një qendër. ku strehoheshin emigrantë dhe ka qëlluar pa paralajmërim ndaj tyre. Ndërkohë që më pas, nën kërcënimin e armëve ka mbyllur qendrën dhe ka marrë peng 41 persona të tjerë. Policia e qytetit u lajmërua nëpërmjet telefonit. Në vendngjarje shkuan makina të shumta dhe skuadrat speciale të qytetit, të cilat rrethuan zonën, në përpjekje për të ndaluar autorin e masakrës. Ndërkohë që ndaj personave në nevojë u dha ndihma e parë. Sipas dëshmitarëve, gjatë paradites është parë një person rreth të tridhjetave i armatosur me automatikun e tij, që është futur brenda në qendrën ku strehoheshin emigrantët. Sipas tyre, ai hapi zjarr ndaj njerëzve që ndodheshin aty dhe la 13 persona të vrarë. Ndërkohë që paniku kapi të gjithë emigrantët që ndodheshin në ndërtesë, të cilët vrapuan për t’u fshehur. Disa të tjerë arritën që të dilnin jashtë dhe të lajmëronin forcat e policisë. Autori i masakrës arriti të kapte 41 persona të tjerë, të cilët i mban peng nën kërcënimin e armëve. Sipas policisë, personi që kreu këtë masakër kishte disa kohë që kishte ardhur në SHBA. Nuk dihen ende motivet që çuan në këtë ngjarje të rëndë. Në qendrën operative të policisë së Binghamtonit erdhi një telefonatë që lajmëronte për të shtëna në qendrën e grumbullimit dhe strehimit të emigrantëve në qytet, ku thuhej se mund të kishte edhe të vdekur. Menjëherë në vendngjarje shkuan forcat e policisë. U rrethua e gjithë ndërtesa e zona, ndërkohë që në ndihmë erdhën edhe skuadrat speciale SWAT të qytetit. Gjithashtu, në vendngjarje shkuan edhe ambulanca të shumta, të cilat dhanë ndihmën e parë për personat në nevojë. Njerëzit të frikësuar u mbyllën në shtëpi, ashtu si edhe bizneset përreth. Sipas mediave lokale, katër njerëz u morën nga ndërtesa dhe u dërguan në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Sipas policisë, autori i masakrës ishte i pajisur me një armë automatike tepër të fuqishme. Në ndërtesën ku ndodhi ngjarja, mblidheshin emigrantë të shumtë të ardhur në vend, të cilët merrnin ushqime si dhe ndihma të tjera sociale. Qyteza e Binghamtonit është vetëm pak kilometra larg Nju Jorkut, qendrës ekonomike dhe financiare amerikane dhe botërore. Ditën e djeshme një ngjarje e rëndë tronditi atë, pasi një emigrant me origjinë aziatike u fut në një qendër të grumbullimit të emigrantëve dhe vrau 13 persona, e plagosi katër të tjerë dhe mori peng 41 persona.