E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama bekon zyrtarizimin e Shqipërisë në NATO



Berisha: Do shtojmë trupat në Afganistan

NATO zgjedh me debate pasardhësin e Sheferit

Fillimi i samitit të djeshëm të krerëve të shteteve anëtare të NATO-s iu kushtua nëpërmjet një ceremonie disaminutëshe dy anëtarëve të rinj, Shqipërisë dhe Kroacisë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hup Shefer, bëri një përshëndetje speciale për Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, dhe Kryeministrin Sali Berisha, si dhe Presidentin dhe Kryeministrin kroat, përkatësisht Mesiç dhe Sanader. “Ditën e krijimit të saj, NATO-ja kishte 12 anëtarë, ndërsa sot pas 60 vitesh, ajo është me 28 anëtarë ndërkohë”, - tha Shefer duke shtuar se “dyert e NATO-s qëndrojnë edhe më tej të hapura si një dëshmi për një Evropë të bashkuar dhe të lirë”. Sheferi tha më pas se të dy vendet arritën t’i bashkohen NATO-s pas një pune të gjatë dhe këmbëngulëse e pas reformave të suksesshme. “Shqipëria dhe Kroacia e kanë merituar këtë vend në këtë tryezë”, - theksoi Shefer. Ndërkaq më pas ka përshëndetur liderët shqiptarë dhe kroatë, Presidenti amerikan, Barak Obama. “Jemi shumë të kënaqur nga prania juaj këtu dhe po ashtu jemi krenar t’ju kemi ju si aleatë”, - ka deklaruar ai duke u dhënë dy presidentëve nga një kopje të marrëveshjes së Uashingtonit. Përveç Presidentit Topi dhe Kryeministrit Berisha, në delegacionin shqiptar bënin pjesë edhe kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, kryetarët e grupeve parlamentare të PD-së dhe PS-së, Astrit Patozi dhe Valentina Leskaj, si dhe ambasadori i Shqipërisë në NATO, Artur Kuko.

Duke folur në samit, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se sot për ne shqiptarët është dita më e madhe dhe më e rëndësishme në tërë historinë tonë kombëtare, pas pavarësisë së vendit. Duke uruar NATO-n për gjashtëdhjetëvjetorin e saj, Berisha tha: “E themeluar 60 vjet më parë, me iniciativën e Presidentit Truman, në Uashington, për të shndërruar armiqtë e djeshëm në aleatë e miq, në çka qëndron dhe vizioni i saj, si edhe për të mbrojtur vlerat e përbashkëta të lirisë që vendet themeluese ndanin, Aleanca e Atlantikut te Veriut u shndërrua me shpejtësi në parzmoren e sigurt të lirisë së kombeve të qytetëruara, në faktorin më përcaktues të frenimit të ekspansionit paranojak sovjetik në Evropë dhe të shembjes se Murit të Berlinit, shpëtimit të mbi 400 milionë qytetarëve të shtypur në sistemin komunist barbar dhe shndërrimin në realitet të aspiratës, ëndrrës së tyre të lirisë”. Kryeministri theksoi se Aleanca e Atlantiku të Veriut, me ndërhyrjen e saj vendimtare, ishte gjithashtu shpëtimtare në dominimin e konfliktit dhe rivendosjen e paqes dhe stabilitetit në gadishullin e Ballkanit. Më pas, Kryeministri shqiptar, duke folur për historinë e shqiptarëve, tha se kombi shqiptar është një komb me rrënjë tejet të gjata. Në udhëtimin e tij shumë të vështirë, në përpjekjet e tij shekullore për liri dhe dinjitet ka provuar luftëra, pushtime, diktatura dhe copëtime të egra e të pamerituara. Historia e tij është ajo e rrëzimeve të shpeshta dhe sërish e ngritjeve të mundimshme, por mjerisht, vetëm në limitet e mbijetesës.

Më tej, Berisha tha: “Për mua kjo është një ditë krenarie e veçantë, por, para së gjithash, dita e mirënjohjes më të thellë dhe të pakufishme ndaj jush, kombeve tuaja, forcave tuaja të armatosura e taksapaguesve të vendeve tuaja, që me ndihmën e tyre të gjithanshme, politike, ekonomike, financiare e ushtarake mbështetën reformat e thella e të suksesshme në Shqipëri, që bënë të mundur këtë ditë. Asnjë komb nuk ka njohur në historinë e tij një solidaritet kaq të madh, sa ç’kemi njohur ne shqiptarët nga kombet tuaja të lira”.

Në samit ka përshëndetur edhe Presidenti Bamir Topi, i cili që në fillim të fjalës së tij iu referua historisë së vështirë të Shqipërisë. “Në përvjetorin e 20-të të shembjes së Murit të Berlinit, Shqipëria bëhet shembulli historik se si një popull, pasi përmbysi diktaturën më të ashpër dhe këputi zinxhirët e izolimit më të gjatë politik, vetëm sepse besoi në idealin e lirisë, në atë të të drejtave të njeriut dhe në kuptimin e plotë të fjalës demokraci, u bë anëtar i organizatës më të madhe, kampione të lirisë dhe të vlerave universale”, - theksoi Topi.

Duke vazhduar më tej, ai tha: “Ne ndodhemi përkrah Jush sot, sepse mbetemi të vendosur të përballemi dhe t’i fitojmë sfidat tona të brendshme politike, ekonomike dhe ushtarake, sepse nga sot, kontributi dhe roli aktiv e moderues i Shqipërisë në rajonin e Ballkanit do të kthehet në vlerë të shtuar të investimit për paqen e stabilitetin e qëndrueshëm të tij, në mbështetjen e shtetit të ri të Kosovës dhe në shëndoshjen e frymës së bashkëpunimit dhe të politikës së fqinjësisë së mirë për një të ardhme të përbashkët euroatlantike”.

Takimi i djeshëm i krerëve të shteteve vijoi fill pas ceremonisë së zhvilluar në urën mbi lumin Rin që lidh Gjermaninë dhe Francën, pikërisht në një zonë që për vite e vite të tëra para Luftës së Dytë Botërore ka qenë pikë sherresh territoriale mes Francës dhe Gjermanisë. Ceremonia u kushtohej mbi 70 mijë trupave që shërbejnë në NATO dhe me theks për ata ushtarë të NATO-s që dhanë edhe jetën në mbrojtje të parimeve të saj.

Edhe kësaj radhe Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, bëri gafën e radhës, duke lënë në pritje për disa minuta dhe më pas duke mos vajtur në ceremoninë e kalimit të urës dhe foton e rastit të krerëve të shteteve anëtare të NATO-s. Më pas u justifikua se po bënte një telefonatë me Kryeministrin turk lidhur me kontestimin e mundshëm të kandidaturës së Rasmunsenit, për të qenë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s në mandatin tjetër.

Samiti i NATO-s ndër të tjera është karakterizuar edhe nga debatet dhe nevoja për fitore në Afganistan, ndërkaq në fund të tij është arritur të zgjidhet edhe Sekretari i Përgjithshëm, i saj, Kryeministri aktual i Danimarkës, Anders Fog Rasmunsen.

Një ceremoni tjetër do të mbahet më 7 prill në Bruksel, ku do të marrë pjesë edhe Kryeministri Berisha, ceremoni që do të ndiqet me ngritjen e flamurit shqiptar në selinë qendrore të NATO-s.

Ndërkaq, dje, Kryeministri Berisha ka pasur edhe takime jashtë axhendës së samitit, ku ndër të cilat spikat ai me Kryeministrin spanjoll, Zapatero.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›