E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakër në bazën Fort Hood

Zyrtarët e ushtrisë amerikane kanë filluar sot hetimet në lidhje me atë se çfarë e shtyri psikiatrin e ushtrisë, të trajnuar që të ndihmojë ushtarët e stresuar, që të drejtojë armët kundër kolegëve të tij, aksion ky i cili ishte një masakër e vërtetë, me çrast ai vrau 13 persona dhe plagosi mbi 30 të tjerë, në bazën ushtarake Fort Hood në Texas.

Dorasi i dyshuar, majori Nidal Malik Hasan, u dërgua pa vetëdije në spital, pasi që u qëllua katër herë gjatë shkëmbimit të zjarrit në Fort Hood. Në kaosin fillestar, i cili shpërtheu menjëherë pas shkëmbimit të zjarrit, zyrtarët ishin të mendimit se njëri nga të vrarët ishte sulmuesi. Gabimi u bë pas vonesës disa orëshe për të identifikuar Hasanin si sulmues.

Autoritetet nuk e përjashtuan mundësinë që Hasan të ketë vepruar me urdhrat e një grupi të paidentifikuar radikal, theksoi një zyrtar në Washington. Ai nuk qartësoi se a janë zbuluar dëshmi, të cilat do ta mbështetnin këtë teori.

Zyrtarët nuk e përjashtojnë mundësinë që disa nga të vrarët dhe të plagosurit të jenë viktima të zjarrit miqësore, si rezultat i kaosit dhe rrëmujës që shpërtheu në vendin e ngjarjes.

Të shtënat filluan në qendrën për gatishmëri ushtarake, ku ushtarët, të cilët kthehen apo bëhen gati për të shkuar misione ushtarake, i nënshtrohen kontrollit mjekësor.
Prifti Greg Schannep sa po kishte parkuar automjetin e tij dhe ishte bërë gati që të hyjë në bazë, kur atij ju afrua një person i uniformuar.

Zotëri, atje është duke u shkëmbyer zjarr, i tha ky person i uniformuar.

Gjenerali Bob Cone lavdëroi ushtarët tjerë në Fort Hood, për të cilët theksoi se kanë reaguar mjaft shpejtë.

Cone theksoi se të plagosurit janë dërguar në disa spitale në Texas. Identiteti i të plagosurve dhe i të vrarëve nuk u bë fillimisht publik nga ana e ushtrisë.

Motivi për këtë sulm mbeti i paqartë, por dukej se Hasan ishte paraparë që së shpejti të shkonte në mision dhe ai më herët kishte shprehur hidhërimin e tij për luftërat e SHBA-së në Irak dhe Afganistan. Senatori republikan nga Texasi, Kay Bailey, tha se gjeneralët në Gort Hood i kanë thënë atij se Hasan së shpejti ishte paraparë të shkonte në mision përtej detit. Koloneli në pension, Terry Lee, i cili tha se kishte punuar me Hasanin, i tha kanalit televiziv, Fox News, se Hasani ishte paraparë të shkonte në Afganistan.

Lee shtoi se Hasan kishte shpresuar se presidenti amerikan, Barack Obama, do të merrte vendimin për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga Iraku dhe Afganistani dhe se është grindur në vazhdimësi me ushtarët tjerë, të cilët kanë përkrahur këto luftëra.

Gjashtë vjet para se të fillonte shërbimin në Fort Hood, Hasani 39 vjeçar, ka punuar në qendrën mjekësore ushtarake, Walter Reed. Ai ka diplomuar në Universitetin për shkenca mjekësore Bethesda, në vitin 2001.

Para gjashtë muajve, Hasan kishte joshur vëmendjen e autoriteteve për zbatimin e ligjit, pas shkrimeve të tij të publikuara në internet në lidhje me sulmet vetëvrasëse dhe kërcënimeve tjera. Megjithatë, hetuesit nuk ishin të sigurt se a ishte Hasani autor i vërtetë i këtyre shkrimeve dhe autoritetet nuk kishin filluar hetime zyrtare kundër tij.

Menjëherë pas masakrës në Fort Hood, FBI, policia lokale dhe agjencitë tjera bastisën shtëpinë e Hasanit, deklaroi zëdhënësja e policisë, Hillary Shine.

(AP)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›