E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga Admir Dodës në Londër, kërkohej për krijim bande dhe plagosje

Mediat angleze e përshkruan Dodën si anëtar të një grupi kriminal me nofkën “Kola”

Tiranë - Është arrestuar në Londër Admir Doda, shqiptari i shumëkërkuar për dy vrasje të mbetura në tentativë. 33-vjeçari ishte i kërkuar për dy vrasje në tentativë ndaj kundërshtarëve të tij shqiptarë, por edhe për posedim armësh. Doda është kapur nga oficerët e Skotland Jard në një shtëpi në veri të Londrës. Vëllai i tij më i vogël, Gentian Doda, 31 vjeç, është një nga 10 më të kërkuarit nga Policia shqiptare. Admir Doda, së bashku me të vëllanë, Gent Doda, akuzohen si eksponentët më të frikshëm të bandës “Kola” në zonën e Burrelit. Banda u krijua pas trazirave të vitit 1997, së bashku me Rezart Llukovin dhe mban një numër të konsiderueshëm vrasjesh dhe grabitjesh. I vëllai, Gent Doda, akuzohet për vrasje. Edhe për Gent Dodën ka informacione se fshihet në Britani. Akuzat më të rënda për Admir Dodën mësohet se janë tentativa e vrasjes ndaj Rinard Klosit dhe Sami Doçit gjatë përplasjeve me armë mes eksponentësh të armatosur në qytetin e Burrelit, në vitin 1997.
Arrestimi
Burimet thanë se Admir Doda është izoluar në një burg të sigurisë së Lartë në Londër, në pritje të procedurave dhe dosjes për ekstradim nga Interpol Tirana. Ndërkohë që është vendosur data 23 shtator për t’u zhvilluar seanca e parë në një gjykatë të Londrës, për të vendosur nëse dosja e Interpol Tiranës është e plotë dhe nëse do të mundësohet ekstradimi i të kërkuarit. Në fakt, Drejtësia londineze rrëzoi kërkesat e avokatit të Admir Dodës për të lënë një shumë si garanci pasurore për të shmangur qëndrimin në qeli. Në fakt, ky është arrestimi i dytë për Admir Dodën, për shkak të urdhër-arresteve ndërkombëtare. Pak vjet më parë ai u arrestua po nga Policia londineze me kërkesë dhe për llogari të Drejtësisë italiane. Admir Doda në atë kohë u lejua nga Drejtësia britanike që të ekstradohej në Itali, ku akuzohej për vrasje. Por ai nuk u dënua për shkak se në procesin e zhvilluar në Itali nuk u paraqit asnjë prej dëshmitarëve që mund të dëshmonin për fajësimin e tij. Sipas informacioneve, gjatë kësaj kohe Admir Doda ka mundur të hyjë dhe të qarkullojë lirshëm në Shqipëri, ndonëse akuzohej për ngjarje të rënda të vitit 1997.
Precedenti
Në ndryshim nga shtete të tjera europiane, Anglia ka procedura shumë të vështira për shmangien e ekstradimeve. Kjo edhe për faktin se autoritetet angleze kanë pasur probleme të shumta me emigrantët shqiptarë me dokumente false (të hequr si kosovarë), ku një pjesë e tyre kanë shfrytëzuar këtë anonimat për të kryer krime të ndryshme pa lënë gjurmë direkte. Por ndryshon “elasticiteti” i autoriteteve italiane, belge apo spanjolle përsa u takon ekstradimeve. Vetëm tri ditë më parë, Kristian Begu, një ndër personat që kanë organizuar atentate ndaj “të fortit” të Durrësit, Lulzim Berisha, kërkoi pranë një gjykate italiane anulimin e urdhrit për ekstradimin e tij në Shqipëri. Kristian Begu ndodhet aktualisht në burg në Itali, i arrestuar për llogari të autoriteteve shqiptare, që e akuzojnë atë për “tentativë vrasje” dhe “pjesëmarrje në organizata të strukturuara kriminale”. Në vitin 2005, Kristian Begu, atëherë 29-vjeçar, u akuzua nga Prokuroria shqiptare se organizoi një pritë për vrasjen e Lulzim Berishës, mision i cili nuk doli me sukses pasi komploti u zbulua.

Arrestohet i dyshuari i ekzekutimit të Topallit në Krujë

Krujë – Policia ka arrestuar dje pak pas mesdite të dyshuarin e vetëm për vrasjen e Maliq Topallit nga Nikla e Krujës, konfirmojnë burime të Drejtorisë së Policisë Durrës. “Rreth orës 13:50 u bë arrestimi i 32-vjeçarit Lulëzim Islam Xhixha (Mesi), lindur dhe banues në Nikël (Krujë), i dyshuar për vrasjen e Maliq Topallit, si dhe u bë bllokimi i armës së krimit automatik Model 56”, - thanë për gazetën “Albania” burime pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës. Vrasja për të cilën akuzohet 32-vjeçari u zbulua dy ditë më parë në fshatin Çerekë, komuna Nikël. Maliq Topalli nga Çereka e Niklës u gjet i vdekur në Breg Lumi, i ekzekutuar me armë zjarri. Nga veprimet e para hetimore të kryera nga specialistë të hetimit të krimit, si autor i mundshëm i dyshuar i kësaj ngjarjeje është Lulëzim Xhixha (Mesi). Motivi i kësaj ngjarjeje mendohet të jetë një hakmarrje pasi më datë 18 shkurt 2008, Dritan Topalli, djali i viktimës Maliq Topalli, ka vrarë me mjete të forta Vaid Xhixhën, vëllain e Lulëzimit. Aktualisht Dritan Topalli vuan dënimin në burg për veprën penale të “vrasjes”. Specialistët e hetimit të krimit thanë se dy ditë më parë dokumentuan me bazë ligjore, ngjarjen e ndodhur dhe për të dyshuarin, materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale të “vrasjes me paramendim”.

Ekstradohet nga Milano, sulm me armë ndaj 3 të rinjve në Tiranë

Tiranë - Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana ekstradoi dje nga Milanoja e Italisë një shqiptar të akuzuar për sulm të armatosur. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë për gazetën “Albania” se dje në mesditë mbërriti në pranga 36-vjeçari Armand Dibra, lindur dhe banues në Tiranë. “Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit Tiranë, me Vendimin nr. 262, datë 27 prill 2009, ka vendosur ndryshimin e vendimit nr. 800, datë 05.06.2008 të Gjykatës së Rrethit Tiranë dhe deklarimin e tij fajtor e dënimin me 13 vjet heqje lirie për veprën penale të “Vrasjes me dashje” të mbetur në tentativë”, - deklaruan burime pranë Interpolit. Ngjarja për të cilën Armand Dibra është deklaruar fajtor ka ndodhur në datën 11 prill 1997, rreth orës 13:20, në vendin e quajtur “Oxhaku”, në Tiranë. Pas një grindjeje banale, Armand Dibra ka qëlluar me breshëri, me një armë automatike në drejtim të automjetit ku ndodheshin të rinjtë nga Tirana, Arjan H., Sabaudin H. dhe Juljan P. Policia e Shtetit tha se Dibra është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë më 06 shkurt 2009, në Itali.

18 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›