Orik Shyti: “Ministria e Brendshme po intrigon për lidhje mes Dajtit me organizatës Hakmarrja për drejtësi”
Dyshimet e dala ditët e fundit në mediat e Tiranës lidhur me përfshirjen e aluduar të Dritan Dajtit në atë që cilësohet si “Hakmarrja shqiptare për drejtësi”, kanë sjellë reagimin e Orik Shytit, i konsideruar nga Drejtësia shqiptare si kapoja i organizatës, akuzë të cilën kurrë nuk e ka pranuar. Në një deklaratë për mediat, Orik Shyti ka folur mbi marrjen në pyetje nga policia të Dritan Hates, i akuzuar si anëtar i organizatës, duke aluduar se Dritan Dajti lidhet me “Hakmarrjen” nëpërmjet këtij të fundit. “Nuk e di se cilët janë miqtë e Dritan Hates, se nuk kam pasur asnjë lloj lidhjeje me të, në asnjë kohë. Madje, për mungesën e lidhjeve, falsifikatorët e procesit kanë krijuar edhe një të çarë më shumë në procesin e manipuluar. Haten e akuzojnë për një krim të vetëm dhe për atë krim nuk akuzohem unë, ‘koka’ e ‘Hakmarrjes’. Pra as Hatja nuk është akuzuar se ka pasur ndonjë lidhje me mua. Mirëpo, meqë Sali Berisha ka ndryshuar taktikë (ia ka ndaluar shtypit të tij të botojë shpifje për ‘Hakmarrjen’), shërbëtorët e tij në krye të Policisë ua japin ato si ‘informacion konfidencial’ gazetarëve të gazetave të pavarura, të cilët, nga naiviteti apo për arsye të tjera, përfshi edhe ato komerciale, i botojnë si të vërteta”, - shprehet Orik Shyti në deklaratën e tij sqaruese për mediat. Sipas Shytit, disa muaj pasi Berisha kishte filluar detyrën e kryeministrit, Haten e arrestuan dhe pasi i dhanë shtypit “fakte” për krimet që kryente në Shqipëri në emër të “Hakmarrjes”, deri edhe me urdhra që i merrte nga jashtë shtetit, e dënuan me një vit burg. Arsyeja e dënimit ishte se ai kishte parë armë dhe nuk e kishte pyetur mbajtësin e tyre, kishte apo nuk kishte leje nga policia. “Nuk po e banalizoj, por të dënosh një shtetas se nuk ka kallëzuar dikë në polici për mbajtje arme pa leje, do të thotë se shtetasit kanë për detyrë të pyesin i kanë apo nuk i kanë me leje armët ata që i mbajnë”, - deklaron Shyti në deklaratë. Më tej ai përmend edhe faktin se ditën që ndodhi vrasja e katër policëve në Durrës, në disa media shkruhej se Dritan Dajti është anëtar i organizatës “Hakmarrja për drejtësi”. “Kurse gazetarë të caktuar në vite kanë pasur për detyrë të zbulonin lidhjet e ‘Hakmarrjes’ me Kamorrën dhe organizata të tjera kriminale, ndërsa Saliu të drejtën e federimit në ‘Hakmarrje’ të cilitdo që i zinte rrugën. Informacioni i servirur ndoshta krijoi terren që të besohen pisllëqet që po shiten dhe tjera që do të shiten më vonë”, - shprehet Shyti në deklaratën e tij.
18 Gusht 2009