Mbrojtja e Dajtit, avokatët “kapen” pas pikave të dobëta të operacionit policor
Avokatët kanë kërkuar të gjitha të dhënat zyrtare mbi mënyrën e zhvillimit të operacionit
Habjon Hasani
Tiranë - Pikat e dobëta të operacionit policor të 7 gushtit në Durrës për kapjen e Dritan Dajtit do të jenë “arma e fortë” e avokatëve të këtij të fundit për të mbrojtur klientin e tyre. Burime nga zyra avokatore, që ka marrë përsipër mbrojtjen ligjore të Dritan Dajtit, i thanë dje “Albania”-s se i gjithë plani dhe zbatimi policor i tij tregon se Dajti nuk ka pasur mundësinë t’i identifikojë si policë katër policët e vrarë gjatë operacionit të 7 gushtit. “Ne kemi kërkuar ekspertizën dhe analizën e operacionit policor dhe nga të dhënat zyrtare të deritanishme mund të themi se ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme, të cilat flasin për një numër të gjerë rrethanash që e kanë bindur Dajtin se ishte në shënjestrën e ndonjë bande kriminale, duke mos kuptuar se në fakt ishte objektivi i një aksioni policor për arrestimin e tij. Është pak herët për të folur në detaje mbi pretendimet që ne do të ngremë lidhur me arsyet që e çuan klientin tonë në kundërpërgjigje me armë, por deri tani jemi të bindur se nga ana e policisë është vepruar në një mënyrë që te Dajti ka ngjallur dyshime se ishte shënjestër për t’u ekzekutuar nga njerëz pa uniformë”, - shprehen burime pranë zyrës avokatore.
Aksioni
Mënyra se si u zhvillua aksioni policor është edhe objekt i punës së Prokurorisë. Hetimet e mëtejshme në këtë drejtim nga ana e Prokurorisë pritet të sqarojnë nëse ka pasur ndonjë shkelje apo tejkalim kompetencash nga skuadra që bëri ndërhyrjen. Deri tani pika më e dobët e operacionit ka qenë mungesa e forcave “RENEA” në momentin e ndërhyrjes, një rast shumë i rrallë ky, sidomos nëse i referohesh faktit se objektivi, Dritan Dajti, mbante numrin 1 në listën e personave më të kërkuar nga Interpol Tirana. Por hetimet mund të rezultojnë edhe më komplekse nëse i referohemi faktit se nga këqyrja e telefonave që i janë gjetur Dritan Dajtit dhe dy prej bashkëpunëtorëve të tij, janë gjetur dhe disa numra dhe mesazhe elektronike “SMS” të shkëmbyera mes mikut të Dajtit, Ledion Mara, dhe një efektivi të policisë. Hetimi në këtë pistë pritet t’i japë përgjigje një nga pyetjeve më të rëndësishme lidhur me masakrën e Durrësit: A ishte njoftuar Dritan Dajti se po kryhej një aksion ndaj tij dhe çfarë i është thënë nëse ka pasur një sinjalizim të tillë?
Urdhëruesit
Një dokument prej katër faqesh, i firmosur nga Fatos Xhani, Arian Muça dhe Ahmet Prençi, ka qenë dokumenti zyrtar që i ka dhënë dritën jeshile nisjes së operacionit për arrestimin e të superkërkuarit Dritan Dajti, operacion që rezultoi i dështuar, ndërsa katër policë humbën jetën, mes të cilëve dhe vetë Xhani, firmosës i urdhrit operacional. Në dokumentin e nënshkruar prej tre zyrtarëve, arsyet e arrestimit i janë referuar vetëm vendimit gjyqësor që bënte përgjegjës Dajtin për vrasjen e biznesmenit Agim Beqja në vitin 1999, si dhe vendimit gjyqësor që e shpallte atë në kërkim pas arratisjes spektakolare më 17 nëntor të vitit 2003.
Box
Dhuna në paraburgim, kunati i Dajtit do t’i drejtohet Strasburgut
Ergest Xhoxhi, kunati i autorit të masakrës së Durrësit, Dritan Dajti, do t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut me një padi ndaj shtetit shqiptar. Lajmi bëhet i ditur nga avokati Arben Qeleshi, që mbron të paraburgosurin Xhoxhi në përballjen me Drejtësinë. “Klientit tim i është mohuar e drejta për t’u mjekuar. Gjatë arrestimit ai është goditur dhe keqtrajtuar nga policia dhe i janë shkaktuar dëmtime të shumta në kokë dhe në trup, por nuk e kanë mjekuar”, - tha avokati Qeleshi. Ai pohoi se do t’i drejtohet Strasburgut, pasi për rastin e klientit të tij, Xhoxhi, është shkelur Konventa e ratifikuar nga shteti shqiptar, përmes së cilës garantohen liritë dhe të drejtat e individit. Mesditën e 7 gushtit, shumë pranë pistës “Iliria” në qytetin bregdetar, Dritan Dajti qëlloi për vdekje katër efektivë të skuadrës speciale operacionale; Fatos Xhanin, Altin Dizdarin, Saimir Duçkollarin dhe Kastriot Feskën, të cilët tentuan ta prangosnin. Vetë Dajti u plagos me tri plumba dhe më pas u vu në pranga, pas gjashtë vitesh në kërkim. Dyshohet se gjatë kohës në arrati, Dajti mund të jetë ndihmuar nga forcat e policisë për t’i shpëtuar arrestimit, pasi në dhjetë telefonat e tij celularë janë gjetur disa numra të punonjësve të policisë.
18 Gusht 2009