E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Cërrikut; Mungesa e avokatit, dështon sërish gjyqi

Mungesa e avokatëve në Gjykatën e Krimeve të Rënda u bë dje sërish shkak për dështimin së radhës të procesit gjyqësor në ngarkim të të pandehurve të “Bandës së Cërrikut”. Mungesa e avokatëve, herë njëri dhe herë tjetri janë bërë shkak këto seancat e fundit për shtyrje të këtij proces, i cili ndodhet tashmë në fazën e dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Bujar Buzani. Nëntë anëtarët e bandës akuzohen për vrasjen e 6 punonjësve të Gardës së Republikës dhe plagosjen e disa të tjerëve në vitin 1997 në Cërrik. Në sallën e Gjykatës munguan dje disa nga përfaqësuesit e mbrojtjes ligjore të të pandehurve të "Bandës së Cërrikut". Nisur nga këto rrethana, kryetari i trupit gjykues vendosi të ndërpresë seancën. Gjykata caktoi të martën e ardhshme si ditën për zhvillimin e procesit në fjalë. Kjo seancë është konsideruar e rëndësishme, pasi pritet të dëgjohen dëshmitarë të Prokurorisë. Të pandehur në këtë proces janë: Llazar Bicja, Met Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani, Entel Gashi. Këta persona, shumë prej tyre të arrestuar vitin që shkoi nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, akuzohen për vrasjen me armë zjarri të 6 punonjësve të Gardës së Republikës, si dhe plagosjen e disa efektivëve të Policisë së Shtetit në vitin 1997 në qytezën e Cërrikut.

Vendimi

Trafiku i drogës, 4.8 vjet burg për grekun Papadhaqis

Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi dje me 4 vjet e 8 muaj heqje lirie biznesmenin grek, Jorgos Papadhaqis, i arrestuar në prill të këtij viti për trafik droge. Gjatë udhëtimit drejt Greqisë, të pandehurit i është gjetur në makinë 2.5 kg drogë e llojit kanabis sativa. Shtetasi grek, Papadhaqis, lindur dhe rritur në Athinë, para një viti jetonte në qytetin e Gjirokastrës, ku bashkëjetonte me Daniela B. Në datën 3 prill të vitit 2008, ai po udhëtonte nga Gjirokastra drejt Greqisë me automjetin e tij "Nissan" me targa YIY 2654. Gjatë kontrollit fizik të automjetit nga policia në pikëkalimin kufitar të Kakavijës efektivët antidrogë kanë gjetur një sasi prej 2.5 kilogramësh lënde narkotike e tipit kanabis sativa. "Vepra penale është kryer me dashje nga i pandehuri, me qëllim përfitimin material", - ka deklaruar gjatë arsyetimit të vendimit kryesuesi i trupit gjykues. Në përfundim, gjykata shpalli fajtor biznesmenin për veprën penale të "trafikimit të narkotikëve" dhe e dënoi atë me 4 vjet e 8 muaj burg.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›